leoni

Skënder Demaliaj: Avdyl Sulaj - Studiues, shkrimtar dhe publicist

Skënder Demaliaj: Avdyl Sulaj – Studiues, shkrimtar dhe publicist

(Në 5 vjetorin e ndarjes nga jeta)

Ka mbaruar studimet e larta në degën gjuhë- letërsi. Ka punuar si mësues në Brodozhnicën e largët dhe në gjimnazin e Bajram Currit, në sektorin e edukimit në Komitetin e Partisë të rrethit Tropojë, si kryeredaktor i gazetës “Shkëlzeni” dhe “Rrezja e Shkëlzenit” dhe si përgjegjës i Bibliotekës së qytetit të Bajram Currit. Ka botuar në revistat shkencore në Tiranë dhe në Prishtinë. Ka marrë pjesë në Konferenca Kombëtare e Ndërkombëtare në Tiranë, Gjakovë dhe Prishtinë.

 

Veprat e tij kryesore janë:

Evropa e bashkuar, Shqipëria e copëtuar, ese publicistike, Tiranë, 1999.

Visare gjuhësore-kulturore nga Malësia e Gjakovës, vëllimi i parë, Tiranë, 2000.

Visare gjuhësore-kulturore nga Malësia e Gjakovës, vëllimi i dytë, Tiranë, 2006.

Kristale alpine, poezi, Tiranë, 2006.

Fjalor fjalësh dhe shprehjesh popullore, Tiranë, 2009.

Shkrime dhe hulumtime gjuhësore, Tiranë, 2012.

Larushia e fjalës në gojën e popullit, Tiranë, 2013.

Krokodili mallëngjen fqinjët, Fabula dhe anektoda, Tiranë, 2013.

Rrëfimi i një shitësi bananesh, Tregime, Tiranë, 2015.

Në planetin shqiptar me emrin Kosovë, Publicistikë, Tiranë, 2015.

Botimet në fushën e gjuhësisë janë më të rëndësishmet dhe kurorëzimi i punës shumëvjeçare si gjurmues e studiues i zellshëm dhe i përkushtuar i fjalës dhe urtësisë popullore, si bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit të Gjuhësisë e Letërsisë  dhe botues i disa punimeve të mëparshme në revistat shkencore “Studime filologjike” dhe “Gjuha jonë”.

Ai, edhe pse larg kryeqytetit (ku vetëm për të ardhur deri në Tiranë  nga Tropoja harxhon një rrogë mujore e këtë e kishte të domosdoshme për konsultime, për shfrytëzimin e literaturës së nevojshme dhe botimin e veprës) nuk u dha para vështirësive dhe arriti që brenda 13 vjetëve  të dalë para lexuesve me pesë libra dinjitozë në fushën e gjuhësisë. Tek qëllimet e mëdha arrihet duke qenë racional, i vendosur dhe këmbëngulës. Përcaktimi: “Autori duhet të mbyllë gojën, kur hap gojën vepra e tij” – është aktual për librat e studiuesit Avdyl Sula.

Veçori e studimeve, çka dhe u jep vlera atyre, është karakteri burimor i fjalëve, pjesa dërmuese e të cilave është e brumit të shqipes. Kështu, vetëm fjalë të përbëra me temë të parme emrin “sy” autori ka hulumtuar e pasqyruar në Fjalor rreth 50 fjalë si: syduq, sykatërliq, syllullë, sykuqshëm, sysahat, syshpuzë, syterur, syverdhë etj.

Librat dallohen për nivel shkencor, për frazën e qartë e të shkurtër, për shpjegime të motivuara e të konkretizuara me kuptimet e drejtpërdrejta e të figurshme të fjalëve, me sinonimet e tyre në gjuhën letrare të njësuar.

Vetë togfjalëshi “visare gjuhësore-kulturore” është domethënës. Me fjalën “visare” kuptojmë fjalë të zgjedhura, shprehje të gdhendura e të latuara që shprehin kuptime figurative e që vërtet përfaqësojnë margaritarët e të folmes dialektore të Malësisë së Gjakovës. Pjesa e dytë e sintagmës emërtuese “kulturore” me të drejtë përfaqëson kulturën gjuhësore të një populli. Autori argumenton dhe hedh poshtë mendimin e disa studiuesve që të folmen e Malësisë së Gjakovës e kanë quajtur “e folmja e Tropojës” ose “e folme e skajshme verilindore e shqipes”. Malësia e Gjakovës është koncept më i gjerë si territor, si gjuhë, si histori dhe konstelacion shpirtëror. Tropoja ka qenë prej mijëravjeçarësh pjesë e pandarë dhe vijim i Dardanisë, i Kosovës së sotme. Leksiku i pasur i kësaj treve evidenton edhe vlerat kulturore të saj, botën e madhe shpirtërore të malësorëve, artin magjik të fjalës dhe është një sinjal, një kujtesë për të gjithë ata që merren me problemet e gjuhës shqipe: fjalorët e botuar më 1980 e 2005 janë vetëm një pjesë e gjuhës shqipe dhe në këta fjalorë dhe në gjuhën e sotme letrare ka vend për më shumë fjalë e shprehje frazeologjike, veçanërisht nga gegërishtja. Të mos harrojmë, se të folmet e veçanta janë përrenjtë që e ushqejnë gjuhën e sotme letrare. Është detyrë e mësuesve të gjuhës shqipe të punojnë vazhdimisht për evidentimin e vlerave gjuhësore nga zonat apo krahinat e tyre. Edhe organizmat shtetërore e jo shtetërore duhet të inkurajojnë, ndihmojnë e mbështesin materialisht e moralisht çdo nismë që lidhet me to.

Ai  ka evidentuar 2500 shprehje frazeologjike, fjalë të rralla që përbëjnë njëkohësisht dhe vatrat kuptimore për disa prej tyre si dhe shprehje karakteristike pasthirrmore a ligjërimore të kësaj treve. Shprehjet frazeologjike janë shpjeguar gjuhësisht drejt, saktë dhe qartë. Janë përdorur në disa raste frazeologjizma shpjeguese dhe të reja, të cilat plotësojnë frazeologjizmat parësore, por nganjëherë dalin më të fuqishme. Me fjalën”sy” janë regjistruar 18 frazeologjizma: e hëngri në sy, hapet sysh, e ka vu synin e qenit n’ballë, i lotojnë sytë, i dolën sytë llullë, e ka synin kokrrosh, i shqeu sytë, iu kanë verbuar sytë, ia ndezi sytë shuplakë, më shkon dita mbrapsht me e pa me sy, s’e lën me çel sy etj. Ose me fjalën “zemër” autori ka shënuar 24 frazeologjizma: e ka zemrën shpellë të zezë, i pikon zemra (shpirti) rahmet, i pushoi zemra, ia hëngri zemrën, ia bën zemrën shkrumb, ia kapi loçkën e zemrës, iu bë zemra pleh i zi, iu bë zemra akull, ka vdekur në zemrën time, m’u bë zemra gjak e vrer, vdiq me zemër të hapur, t’u ngrohtë zemra etj.

Dijetari i njohur Humbold ka thënë: “Gjuha nuk është një vepër arti, por është një energji, një veprimtari”, çka  nënkupton zhvillimin e saj të pandërprerë si një organizëm i gjallë. Nëpërmjet kundërshtive, korrigjimeve dhe plotësimeve janë zhvilluar e përsosur të gjitha gjuhët e botës, ku nuk bën përjashtim edhe gjuha shqipe.

Për autorin ndryshimet e sotme të shoqërisë shqiptare, përballja e kulturës dhe e gjuhës me kulturat e gjuhët e ndryshme të botës kanë shtruar nevoja dhe kërkesa të mëdha për fjalë e terma të rinj në shërbim të dijes, të kulturës, të artit, të politikës, të ekonomisë. Shmangia e huazimeve të papërligjura leksikore e strukturore për to parakupton rigjallërimin dhe shfrytëzimin e të gjitha vlerave gjuhësore të dialekteve e të folmeve të mbarë shqipes, parakupton gjithashtu shtytjen e zhvillimeve të brendshme të vetë gjuhës letrare në fjalëformime të reja, në përsosjen e stileve, në zgjerimin e kuptimeve të fjalëve. Është kjo arsyeja që dukuritë e sotme gjuhësore dhe faktorët historikë, shoqërorë e kulturorë kërkojnë që gjuha letrare e përbashkët të shënojë një periudhë të re pasurimi dhe zhvillimi, përsosjeje e modernizimi duke u ushqyer organikisht nëpërmjet rrënjëve të saj – dialektore dhe të folmeve të mbarë shqipes. Është kjo arsyeja përse duhet vazhduar të mblidhen përsëri fjalë të rralla, shprehje frazeologjike nga zona e krahina të vendit tonë.

Studiuesi Avdyl Sula sjell një ndihmesë të rëndësishme në gjuhësinë tonë, veçanërisht në fushën e leksikografisë. Ajo do të shërbejë si gurrë e begatë e fjalës burimore shqipe për letërsinë artistike, publicistike e politike, për të pasuruar antoniminë e sinoniminë e gjuhës letrare të njësuar, për të shtuar ndjeshëm fondin e saj me fjalë të reja.

Përcaktimi i gjuhëtarit kosovar Dr. Mehmet Halimi (redaktor i vëllimit të dytë): “Autori ka punuar me dashuri e përkushtim. Ai ka arritur të hartojë një vepër të rëndësishme për të gjithë ata që e duan, e ruajnë dhe e kultivojnë gjuhën tonë amtare. Kjo vepër gjuhësore është e dobishme dhe shquhet për vlera kulturore e shkencore të pakrahasueshme, ndaj publikimi i saj e pasuron kulturën tonë gjuhësore” – ka brenda të gjitha vlerësimet që i meriton.

Megjithatë nuk mund të rri pa përmendur se përveç vlerave të spikatura shkencore që përmban kjo vepër, studiuesi Avdyl Sula sjell me të edhe një mesazh tjetër të rëndësishëm atdhetar e intelektual. Ndërkohë që mjaft studiues për shkaqe ekonomike e sociale po largohen nga Veriu, po emigrojnë jashtë shtetit, deri në Kanada, ky autor me punën e tij këmbëngulëse jep shembullin se edhe larg Tiranës, në vendlindje, ku jetoi dhe punoi Avdyli ka perla e margaritarë të panumërt natyrorë, demografikë, kulturorë e shpirtërorë që duhen vlerësuar, duhen studiuar e pasqyruar në vepra të ndryshme.

Ndryshimet politike pas viteve `90, hapja e Shqipërisë drejt botës së jashtme krijuan realitete të reja, të cilat u pasqyruan edhe në gjuhë.

Duhet të kemi parasysh se ndikimet në kohë e në hapësirë pasqyrohen drejtpërdrejt tek gjuha dhe janë lidhjet gjuhësore ato që bëhen shprehje e drejtpërdrejtë e të kuptuarit shoqëror të një kombi. Se nga çdo pikëpamje që të studiohet gjuha, ajo mund të kuptohet vetëm në kontekstin mjedisor, si marrëdhënie dhe si reflektim i mjedisit përreth.

Për Keesing, Rogers, M dhe Andrew, J “Gjuha nuk përbën vetëm një sistem formal, një kompleks skemash dhe rregullash, por një formë të të kuptuarit të kulturës së një vendi, perceptimit dhe vetë natyrës njerëzore”.

Parë nga ky këndvështrim, veprat e Avdyl Sulës në lëmin e gjuhësisë marrin një vlerë të shtuar dhe ndihmojnë në edukimin gjuhësor në shkolla, por edhe për gjithë qytetarët.

Librat e Avdyl Sulës janë të dobishme dhe pika referimi për studiuesit dhe gjuhëtarët veçanërisht për ata të Veriut, të Malësisë së Gjakovës e të Kosovës. Por është e papranueshme dhe shkelje e të drejtës së autorit që fjalët e rralla, shprehjet frazeologjike, studime me karakter leksikor, fonetik, morfologjik e sintaksor (studime të mirëfillta, origjinale të Avdyl Sulës, të botuara prej tij për herë të parë) të përvetësohen nga të tjerët dhe të paraqiten si punime të tyre, bile “të harrojnë” edhe të përmendin emrin e tij në rubrikën “Literatura e shfrytëzuar”.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …