Brickos

Shaban Haxhi Demaliaj – organizator, drejtues, udhëheqës ushtarak dhe lider i LANÇ-it në Malësinë e Gjakovës dhe në Kosovë

Skënder Demaliaj: Shaban Haxhia – Lider i padiskutueshëm i LANÇ-së, në Malësinë e Gjakovës

(Në kuadrin e 75 vjetorit të krijimit të Brigadës së Shtatë Kosovare)

Më tërhoqën vëmendjen vlerësimet për Beqir Ndoun: “Sali Mani e përkrahu Beqir Ndoun… Beqiri merr krah dhe bën për vete në vijën e partisë Shaban Pacin (Haxhinë). Zeq Hyseni, Isuf Çujin, Ibrahim Bekën (Tpla), Veli Nimanin, Din Bajraktarin.1

Përse do ta përkrahte? Çfarë detyrash e funksionesh kishte Beqir Ndou? Asnjë detyrë dhe funksion deri në çlirimin e Tropojës. Shaban Haxhinë nuk e lidhi me Luftën Beqir Ndou. Ai e organizoi dhe e drejtoi vetë me iniciativën e tij. Filloi në qershor të vitit 1939 (për këtë iu internua edhe familja në nëntor 1939), ngriti Njësitin e Bytyçit, bashkëpunoi dhe ndërmori veprime luftarake bashkë me Ramë Mujën. Shabani nuk pati nevojë as për Fadil Hoxhën, as për Beqir Ndoun. Ata kishin nevojë dhe kërkuan bashkëpunim me Shabanin, bashkëpunim që u pranua mbi parimet e partneritetit. Në çetën e Shabanit nuk ka qenë Beqir Ndou, Veli Nimani, Zeq Hyseni, Isuf Çuji, Mehmet Mulosmani, Idriz Mulosmani, Jah Salihi, Din Bajraktari. Asnjë prej tyre nuk ka qenë në ndonjë aksion me Shabanin. Shabani ishte dhe mbeti lider i padiskutueshëm i Luftës:

Ismet Shaqiri, në librin “Më kujtohet” jep këto vlerësime për secilin nga pjesëmarrësit e Luftës:

Beqir Ndou, pjesëmarrës i LANÇ

Din Bajraktari, pjesëmarrës i LANÇ

Veli Nimani, pjesëmarrës i LANÇ2

Mehmet Bajrami, pjesëmarrës i LANÇ

Jah Salihi, pjesëmarrës i LANÇ3

Po të kishin detyra dhe funksione do t’i përmendte.

Bën dallimin me të gjithë këta për Shaban Haxhinë e Shpend Degën:

Shaban Haxhia, udhëheqës ushtarak i çetës partizane e më vonë i Aradhës partizane “Bajram Curri”, komandant i Brigadës VII Kosovare4

Shpend Dega, udhëheqës politik në Aradhën “Curri-Rexhepi”5

Lexuesi i këtyre rreshtave nuk e ka të vështirë të gjejë kush është lideri i Luftës. Gjithë veprimtaria politike dhe ushtarake e Shabanit nga viti 1941-1945 e vendos atë në rolin e liderit të Luftës. Fadil Hoxha dhe Beqir Ndou pas takimit me Shaban Haxhinë, më 17 maj 1942 shkuan tek Ramë Muja në Gash, i kërkuan bashkëpunim, por ai nuk pranoi dhe nuk iu besoi.

Vetëm kur ata i thanë se me ne është Shaban Haxhia, ai erdhi në Bytyç, pranoi të bëhej pjesë e Lëvizjes nën udhëheqjen e komunistëve.

Idenë për aksionin në Shumri e dha Shabani. E organizoi dhe e udhëhoqi ai, e njihte mirë atë zonë, kishte qëndruar ilegal në periudhën qershor-shtator 1939. Kishte miqtë e tij të ngushtë me shumë ndikim në zonë: Shaq Hajdarin e Mustaf Mustafën, të cilët iu prinë forcave partizane. Në këtë aksion nuk morrën pjesë as Beqiri, as Velia, as Mehmet e Idriz Mulosmani.

Shabani mbrojti dhe e shpëtoi Ramë Mujën në analizën që u bë në Dobrej, pas aksionit të Shumrisë. Fadil Hoxha në ditarin e tij shkruan: “Shumica e shokëve reaguan fare mirë e në mënyrë bindëse kundër dobësive të Jupës, të Ramës e të Abedinit dhe i morën si zhfaqje që rrjedhin nga mungesa e perspektivës e nga vështirësitë e mëdha, në të cilat po has Aradha. U dënuan dukuritë e këtilla dhe shkaqet e tyre më tepër sesa vetë aktorët e dukurive. Më ra në sy qëndrimi korrekt e kritika konstruktive e shumë të rinjve, sidomos e Xheladinit, Mazllomit, Samiut dhe Metushit. Disa prej shokëve kërkuan dënimin e rreptë të këtyrë tre shokëve, por shpejt u bindën se propozimi i matur i Shabanit është me vend e duhet të pranohet”.6

Në Konferencën e Përgjithshme në Dobrej, më 18 mars 1943 Fadil Hoxha propozoi dënim të rëndë për Nasim Starovën, të cilin e akuzoi se kishte shpërdoruar 100 napolona nga paret që ishin marrë në Kishën e Rastovicës. Kjo nuk u vërtetua. Fadili e kishte inat se Nasimi ishte trim, tip alegro dhe të gjithë partizanët e donin. Pas kundërshtimit të Shabanit, ai shpëtoi nga dënimi i rëndë (pushkatimi), por e larguan nga çeta. Për të mos e lënë në mes të katër rrugëve, në vend të huaj, Shabani i dha vëllanë Hasanin, i cili e çoi tek Isuf Musa (Kam). Ky e përcolli me njerëz të sigurtë për në shtëpinë e tij.

Gjakftohtësia, trimëria, vendosmëria e Shabanit e shpëtoi Çetën e Malësisë nga shkatërrimi në Lumin e Gashit. Ai pati edhe mbështetjen e vëllezërve të tij, të Adem Alisë e Ram Sadikut.

Kur çeta u kthye nga aksioni i Shumrisë dhe u vendos në Pac, paria e Bregut të Pacit dërgoi një delegacion të kryesuar nga Zenel Hoxha, ku kërkoi të largoheshin sa më parë nga Dobreji se pushtuesi do na i djegë shtëpitë e do na i vrasë njerëzit.

Fadil Hoxha shkruan në ditarin e tij “Sot erdhi një delegacion prej fshatrave të Bytyçit. Me këmbëngulje kërkuan që, menjëherë, të largohemi nga territori i tyre, përndryshe do të na kthejnë pushkën, mbasi “nuk kanë shteg të digjen e të përvëlohen”.

…Tropoja është mbushut me italianë… Dje kanë djegur shtëpitë e partizanëve të Gashit, e i kanë internuar familjet e tyre… Kanë lajmëruar nëpër të gjitha bajraqet e Malësisë se kushdo që i mban partizanët, do ta djegin e internojnë. Prandaj. Ikni prej këndej e mos na merrni në qafë! – thanë.

Kjo gjë na preku shumë. Edhe në bjeshkë nuk duan të na lënë të qetë.U ndamë mjaft keq.

“U thoni fshatarëve tuaj se ne jemi duke luftuar edhe për lirinë e tyre dhe se e kanë për detyrë të na ndihmojnë. Po të vijnë italianët, ne do të luftojmë e nuk do të lejojmë që të djegin kërkënd. Ne nuk presim që ju të ktheni pushkën kundër nesh. Pra, edhe pushkët tona vjellin plumb, e po të jetë nevoja edhe ne dimë të djegim shtëpia!” – u përgjigjëm.

Partizanët që ishin grumbulluar të dëgjojnë bisedën me këtë “delegacion”, u habitën nga kjo përgjigje.

Ne gjithnjë i jemi shmangur luftës me fshatarë e nuk kemi djegur asnjë shtëpi, bile as shtëpitë e ballistëve që na kanë sulmuar, e lëre më, të këtyre. Por, ç’është tepër – është tepër. As në bjeshkë të mos mundemi të pushojmë rehat? Kupa është mbushur. Kur mbushet, edhe sherbet të jetë, derdhet!

“Delegacioni vajti kryeulur. Megjithëkëtë , ne duhet të largohemi sa më parë prej këndej. Nuk është mirë që të përgjakemi më Bytyç”7.

Nuk është biseda e Fadilit që e detyroi delegacionin e Bytyçit të ikte kokëulur, por ultimatumi i Shaban Haxhisë e i vëllezërve të tij: “Mos t’ua dëgjojmë më këtë muhabet! Ne nuk pyesim për ju! Dobreji është i yni, është toka e trualli që na ka lënë baba. Ne nuk marrim leje për të luftuar pushtuesin dhe ju bëjmë thirrje edhe juve që të vini me ne e të mos hani në kazanin e tij. Po deshët provojeni dhe ejani më në Dobrej!” Nuk bëhej shaka me djemtë e Haxhi Mehmetit. E nuk u duk më Zenel Hoxha me të tjerët.

Organizimin e Mbledhjes te Ura e Kolgecajve e bëri Shaban Haxhia. Takimet me parinë  tek Olkoli i Gashit dhe Livadhi i Rruk Avdylit e drejtoi vetë. Ishte pikërisht ndikimi i Shabanit që çoi në vendimin e organizatës së partisë së çetës: Fjalën hyrëse në Kuvend ta mbante vëllai i tij Hasani, i cili në këtë kohë ishte i paparti. Ishte Shabani që i dha tonin mbledhjes dhe e detyroi parinë të ikte kokëulur me bisht nën shalë.

Kur Aradha partizane “Curri-Rexhepi” ishte në Degë, natën vonë duke kaluar nëpër fshat Sadik Bekteshi me disa partizanë të Shkodrës vranë qenin e Mal Bajramit. I zoti i qenit u revoltua shumë dhe kërkoi shpjegime dhe dëmshpërblim për qenin e vrarë. Sadik Bekteshi dha urdhër që të pushkatohej, por urdhri tij nuk u zbatua. Ndërhyri Shaban Haxhia dhe e zgjidhi konfliktin, e qetësoi situatën dhe e shpëtoi Aradhën nga një konflikt i mundshëm me fshatin. Shabani i kërkoi falje Malës, shprehu gatishmërinë për dëmshpërblim me një napolon flori, ofertë që nuk u pranua nga Mala.

Në shtëpinë e Ahmet Sylës – Kërrnajë në shkurt 1944 qëndronte një pjesë e Shtabit të Aradhës me në krye Shaban Haxhinë. Zogë Dega pa dashje vrau Sokol Ramën e Degës. Sadik Bekteshi përsëri këmbënguli që Zogë Dega të pushkatohej, por urdhri i tij nuk u zbatua. Shabani propozoi që ajo të shkonte në një njësit tjetër partizan dhe ashtu u bë. Shabani i la të zotit të shtëpisë 50 napolona për varrimin.

Fadili thotë se mbrojtja e Konferncës së Bujanit iu besua Qamil Brovinës. Çeta shoqëruese e shtabit të Kosmetit pati detyra të veçanta për sigurinë e Konferencës, por numri i saj në krahasmim me Aradhën “Curri-Rexhepi” ishte i vogël. Përveç kësaj në krye të kësaj Çete ishte zëvendëskomandanti i batalionit “Bajram Curri”, Mal Sadiku. Shtrohet pyetja: kush e njihte më mirë terrenin, Qamil Brovina që kishte ardhur nga Gjakova apo Shaban Haxhia që ishte vendas? Kush i kishte njerëzit e tij pranë dhe bazat e sigurta? Pra, sigurinë e Konferencës e mori përsipër Shabani dhe ia doli mbanë me sukses.

Hajdar Dushi mbështetjen e tij kryesore e kishte tek Shabani. Me të kishte një miqësi të sinqertë. Rifat Berisha, Xhevdet Doda, Xheladin Hana sapo erdhën për Konferencën u pritën nga Shabani, shkuan edhe tek shtëpia e tij. Hajdari, Rifati, Xhevdeti, Zekeriai i besuan Shabanit dhe vetëm Shabanit kur u mbyllën në dhomën e vogël të kullës dhe shkruan Rezolutën e Mbledhjes, ku futën nenin e vetëvendosjes.

Ymer Pula i shkruajti letër Shabanit dhe priti përgjigjen e tij pozitive që Shtabi i Kosmetit të vinte në Malësinë e Gjakovës. Po kështu kur erdhi Pavëll Joviçeviçi në Malësi u shoqërua  me letër për Shabanin për të bërë kujdes për të. Përse nuk i shkruajti Beqir Ndout, Veli Nimanit, Isuf Çujit, Sali Manit e të tjerëve? Se nuk kishin gjë në dorë, se nuk komandonin forca, se nuk kishin mundësi, mjete për të siguruar Shtabin.

Ja si e përshkruan Shaban Haxhia situatën në Tropojë, në nëntor të vitit 1943 në kujtimet e tij:

“Në nëntor 1943, Malësia e Gjakovës pothuajse ishte e lirë (përjshtuar zonën e kromit Kam-Kepenek-Zogaj). Nisur nga kjo, anglezët dërguan misionin e tyre në nëntor 1943. Fillimisht zgjodhën Fushën e Vladit për zbarkim, por kishin frikë se forcat e okupatorit ishin afër.

Shokët e Qarkut të Gjakovës, personalisht më shkruajtën se gjendja në Gjakovë dhe në krejt Kosovën ishte kritike dhe forcat e batalionit të parë të Kosovës dhe i Dukagjinit ndodhej në rrezik. Po kështu edhe udhëheqja e partisë e Kosovës, prandaj nëse në Malësinë e Tropojës ka siguri na lajmëroni për të ardhë për t’u strehuar, pasi Fadil Hoxha ndodhet në rrezik në katundet e Prizrenit. Në Sharin e Prizrenit kishte mërdhirë në të dy këmbët. Nga ana e Gjilanit ishte zhvilluar një përleshje midis forcave partizane dhe pushtuesve. Nuk kishte patur të vrarë, por Fadili me shokë në panik mësynë Sharin e Prizrenit, atje ku edhe në verë mbërdhin nga të ftohtët e madh. Ne i lajmëruam se Malësia ka tradita për kësi rastesh, prandaj nuk është e nevojshme të pyesin. Shokët të vijnë sa më parë dhe do të gjejnë mikpritje dhe siguri.

Në ditët e para erdhi Pavllo Javiçeviçi (pseudonimi Paloka). Megjithse isha komandant i batalionit “Bajram Curri”, ky njeri mbajti sekret dhe nuk e dinim kush ishte. Vetëm ishte i rekomanduar nga një letër prej Qarkorit, e shkruar nga Ymer Pula që thoshte se për shokun në fjalë të tregohet shumë kujdes se humbja e tij kushton shtrenjtë. Ky zotëri u vendos në Gri sipas kërkesës së tij. Shtabi i Kosmetit u sigurua nga një çetë partizane me komandant Mal Sadikun, i cili ishte nga Grija dhe me detyrën e zëvendëskomandantit të batalionit. Pas 10 ditësh erdhi edhe Fadil Hoxha, i shoqëruar nga 8 vetë, hipur në kalë. Sipas kërkesës së tij e çuam në Gri, ku ishte Paloka. Erdhi edhe Bashko Çokiqi (Nenada). Erdhën për të shpëtuar kokën bashkë me batalionin “Perlat Rexhepi” e Sadik Bekteshin”.

Në Mbledhjen e Arvejës, në fund të marsit 1944, Fadil Hoxha kërkoi shkarkimin nga të gjitha detyrat të Sadik Bekteshit, duke e bërë atë përgjegjës për humbjet e partizanëve në Operacionin e Dimrit shukrt 1944. Shabani e mbrojti dhe propozimi i Fadilit nuk u miratua. E mbrojti se sa Sadik Bekteshi isht përgjegjës edhe Fadil Hoxha. E mbrojti se propozimi dhe qëndrimi i Fadil Hoxhës në këtë mbledhje ishte arrogant. Shaban Haxhia nuk e pranonte arrogancën. Fjala e tij, argumentat e tij zunë vend në mbledhje dhe u bë ashtu siç tha ai.

Pikërisht se ishte Lider i vërtetë i Luftës është sulmuar vazhdimisht e janë bërë përpjekje për të minimizuar rolin e tij. Sipas një skenari të mirëpërgatitur, në mënyrë të organizuar, frontalisht. Të gjitha goditjet për një qëllim: Të mos pranohet një përfaqësues i vegjëlisë të jetë në krye të Luftës.

 

Bibliografia

 

Palnikaj Mark, “Beqir Ndou”, Grand Print, Tiranë, 2011, f. 346.

Shaqiri Ismet, “Më kujtohet” 1, Rilindja, Prishtinë, 1977, f. 430, 432, 469.

Shaqiri Ismet, “Më kujtohet” 2, Rilindja, Prishtinë, 1985, f. 394, 422.

Shaqiri Ismet, “Më kujtohet” 1, Rilindja, Prishtinë, 1977, f. 465.

Shaqiri Ismet, “Më kujtohet” 2, Rilindja, Prishtinë, 1985, f. 412.

Hoxha Fadil, “Kur pranvera vonohet”, Rilindja, Prishtinë, 1973, f.30.

Po aty, f 31.

1 – Autori është Shef i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë dhe nipi i Shaban Haxhisë

 

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË - I

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – I

Dokumentet britanike për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, sjellin para lexuesit informacione të rëndësishme, …