Avokati Skender Musa ka akuzuar Qeverinë Kurti se jo vetëm që nuk ka zhvilluar një luftë reale kundër korrupsionit, por ka ndërhyrë drejtpërdrejt në punën e organeve të drejtësisë, duke penguar hetimet ndaj zyrtarëve të lartë qeveritarë. Musa deklaroi se ndërhyrja është reflektuar veçanërisht përmes transferimit të policëve që hetonin raste të ndjeshme korrupsioni, përfshirë hetime ndaj figurave të larta të qeverisë. Sipas tij, këta zyrtarë policorë janë larguar nga pozitat kyçe hetimore dhe janë dërguar në sektorë të tjerë, si formë presioni institucional. Ai po ashtu ka pohuar se Prokuroria Speciale ka qenë objekt i presioneve të vazhdueshme politike, ndonëse është institucioni kompetent për hetimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe keqpërdorimit të autoritetit zyrtar. Musa theksoi se në vend të sulmeve ndaj sistemit të drejtësisë, qeveria do të duhej të kishte hartuar një platformë të qartë dhe të zbatueshme për luftimin e korrupsionit, përfshirë edhe hetimin e rasteve të së kaluarës, ashtu siç ishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
