Sot, në një ceremoni solemne, në prani të familjarëve, bashkëpunëtorëve dhe qytetarëve, nderuam Prof. dr. Samedin Haxhijaha me dekoratën për humanizëm “Dr. Ali Sokoli”, një mjek dhe humanist i shquar, i cili tërë jetën ia kushtoi shërbimit ndaj popullit të tij.
Kjo dekoratë u jepet atyre që me përkushtimin e tyre kanë ndikuar në përmirësimin e jetës dhe të kushteve të punës për njerëzit në nevojë. Prof. dr. Haxhijaha ishte një nga ata “heronj të heshtur”, ndonëse shpesh të padukshëm, prania e të cilëve ndihet e përjetohet kudo. Ai dha kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e shëndetit publik, duke hapur institucione dhe duke konsoliduar shërbime të veçanta shëndetësore në një kohë kur mund të kishte zgjedhur një jetë më të lehtë jashtë vendit.
Zgjedhja e tij për t’i shërbyer popullit të Kosovës, dashuria për profesionin dhe misioni human, bëjnë që emri i tij të mbetet i nderuar brez pas brezi.
Kjo dekoratë, që mban emrin e një prej doajenëve të shëndetësisë, Dr. Ali Sokoli, këtë vit iu nda këtij personaliteti të shquar post mortem, si një shenjë mirënjohjeje dhe respekti për jetën e tij të mbushur me shërbim, humanizëm dhe atdhedashuri.
Shembulli i Prof. dr. Samedin Haxhijaha mbetet frymëzim dhe motivim për të gjithë ata që e shohin mjekësinë dhe humanizmin jo vetëm si profesion, por si mision jetësor.