Smajl Latifi: Flaka e Janarit është dhe do të jetë një simbol që na kujton sakrificat e mëdha për lirinë

Sot, në Qendrën e Kulturës “Mensur Zyberaj” në Rahovec, së bashku me familjarët e dëshmorëve, bashkëluftëtarë, bashkëpunëtorë, qytetarë liridashës dhe figura të shquara të çështjes kombëtare, kujtuam dhe nderuam dëshmorët e kombit Nesimi Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti dhe Hilmi Krasniqi, në 35-vjetorin e rënies së tyre heroike.

Në këtë aktivitet, si pjesë e aktiviteteve të Flakës së Janarit, na shoqëruan emocionet e veçanta të një koncerti-homazh, ku artistet Besiana Mehmedi dhe Adelina Paloja, me zërat e tyre të mrekullueshëm, përcollën mesazhe frymëzimi dhe krenarie për sakrificën e dëshmorëve.

Një moment i rëndësishëm ishte ceremonia e dhënies së mirënjohjeve për zonjat e hekurta të shoqërisë sonë, me motivacionin “Për rezistencën kombëtare dhe kontributin në revolucionin e madh që nisi në vitin 1981, duke kulmuar me shtetformimin dhe arritjen e lirisë së plotë të Kosovës”.

Gjatë aktivitetit, shpallëm gjithashtu fituesit e konkursit për krijimtari letrare, kushtuar Flakës së Janarit, ku krijimet artistike na kujtuan fuqinë e fjalës në ruajtjen e identitetit dhe trashëgimisë sonë kombëtare.

Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e çmuar për çështjen kombëtare shqiptare, pata nderin t’i jap “Medaljen e Lirisë” patriotit të shquar, z. Ali Ahmeti, me motivacionin “Për kontributin e vazhdueshëm atdhetar në të gjitha etapat e historisë më të re kombëtare, për angazhimet e përhershme në funksion të afirmimit kombëtar e ndërkombëtar të çështjes shqiptare dhe për mbrojtjen e vlerave historike të shqiptarëve në trojet e veta”. Edhe pse ai nuk mundi të ishte i pranishëm, mirënjohja jonë për rolin e tij në mbrojtjen dhe promovimin e interesave kombëtare mbetet e pashoq.

Flaka e Janarit është dhe do të jetë një simbol që na kujton sakrificat e mëdha për lirinë. Nga Rahoveci, përcollëm mesazhin tonë të nderimit për ata që sakrifikuan gjithçka për të ardhmen tonë të lirë dhe të dinjitetshme.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Kastrati ndan mirënjohje për familjen e Januz Thaçit

Në shenjë vlerësimi për kontributin e jashtëzakonshëm në mikpritje, bujari, humanizëm dhe fisnikëri, Kryetari i …