Kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi përmes një postimi në facebook ka përkujtuar masakrën e Dubravës kur forcat terroriste serbe vranë 160 të burgosur shqiptarë dhe plagosën 300 të tjerë.
“Vrasja e 160 të burgosurve shqiptarë dhe plagosja e mbi 300 prej tyre në burgun e Dubravës, 26 vjet më parë, nga forcat serbe, është krimi më i egër dhe i tmerrshëm kundër njerëzve që ishin të privuar nga liria e që askush nuk është gjykuar, edhe përkundër qindra dëshmitarëve të mbijetuar, të cilët kanë rrëfyer për tërë atë që kanë parë me sy dhe e kanë përjetuar.
Vrasja masive e njerëzve tanë në këtë burg, tregon për planin, skenarin, organizimin e gjenocidit të shtetit serb në Kosovë. Është skajshmërisht e dhimbshme që edhe sot pas 26 vjetësh, drejtësia nuk e ka kryer misionin e saj për të dënuar urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e këtij krimi barbar.
Beteja për të kërkuar drejtësi, nuk duhet dhe nuk guxon të ndalet!
I paharruar kujtimi i të burgosurve të vrarë e të masakruar, i të plagosurve dhe i të gjithë atyre që e përjetuan këtë mizori të pushtuesit serb”, thuhet në postimin e kryetarit Smajl Latifi.