Sot zhvillohet seanca gjyqësore për rastin “Banjska” – tre të akuzuar para drejtësisë, Radojiçiq ende në arrati

Më 9 qershor 2025, në Gjykatën Themelore të Prishtinës do të mbahet seanca e radhës për rastin “Banjska”, lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Në seancën e fundit, tre nga të akuzuarit – Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq – dolën para trupit gjykues për t’u përballur me akuzat për kryerje të veprave terroriste. Të tre janë deklaruar të pafajshëm dhe nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat për të cilat akuzohen. Ky proces gjyqësor përfshin gjithsej 45 të akuzuar, mes tyre edhe udhëheqësi i grupit, Milan Radojiçiq, i cili ka pranuar publikisht se e ka organizuar dhe udhëhequr sulmin në Banjskë, por vazhdon të mbetet në arrati. Më 11 shtator 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj Radojiçiqit dhe 44 personave të tjerë për veprat penale të terrorizmit, financimit të terrorizmit dhe krimeve të tjera të rënda. Nga të gjithë të akuzuarit, vetëm tre po gjykohen aktualisht nga drejtësia kosovare, ndërsa 42 janë në arrati. Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar zyrtarisht nga Serbia ekstradimin e Milan Radojiçiqit dhe bashkëpunëtorëve të tij, kërkesë që deri më sot ka mbetur pa përgjigje.

Kontrolloni gjithashtu

Mocioni për rrëzimin e aktakuzës ndaj Thaçit dhe të tjerëve pritet të dorëzohet më 12 qershor

Ekipet e mbrojtjes së ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, …