Prokuroria e Posaçme ka nisur zyrtarisht komunikimin e akuzave në dosjen që përfshin kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ish-bashkëshorten e tij, deputeten Monika Kryemadhi, dhe ish-drejtorin e AKEP, Pirro Xhixho.
Komunikimi i akuzës për Metën është shtyrë për ditën e hënë, pas kërkesës së avokatit të tij, Kujtim Cakrani, i cili ka njoftuar se ndodhet me pushime.
Ndërkohë, Monika Kryemadhi dhe nëna e saj, Ema Çoku, do të njihen sot me vendimin për përfundimin e hetimeve. Një ditë më parë, Çoku është paraqitur pranë Prokurorisë së Posaçme dhe është njohur me akuzat e ngritura ndaj saj.
Po ashtu, edhe ish-drejtori i AKEP, Pirro Xhixho, është paraqitur në ambientet e SPAK për t’u njohur me akuzat dhe provat që rëndojnë ndaj tij, në kuadër të të njëjtës dosje. Ai akuzohet për korrupsion pasiv. Xhixho është babai i deputetes Erisa Xhixho.
Sipas hetimeve të SPAK, Meta dhe Kryemadhi dyshohen se kanë bashkëpunuar ndër vite me funksionarë të tjerë shtetërorë për të favorizuar kompani private, përmes shfrytëzimit të posteve të tyre publike dhe politike. Dosja përfshin gjithashtu lobime në SHBA dhe transaksione të dyshimta për blerje-banesa në këmbim të përfitimeve financiare të mëdha, të cilat nuk janë deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.
Konkretisht, ndaj Kryemadhit rëndojnë akuzat për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të të ardhurave. Më 23 tetor 2024, gjykata la në fuqi masën e sigurimit “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj saj dhe ndaj Ema Çokut, e cila akuzohet për pastrim parash.
Ndërsa për Pirro Xhixhon, masa e sigurisë është ndryshuar nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për paraqitje”.
Të tre të hetuarit janë urdhëruar të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore pranë SPAK-ut.