Në një paraqitje u trajtuan zhvillimet aktuale politike në Kosovë, të cilat po kalojnë përmes një lloj euforie që ka përfshirë opinionin publik, duke reduktuar problemet në vend në çështje të karakterit politik afatshkurtër. Kjo gjendje krijon terren të favorshëm për gabime strategjike, veçanërisht në raport me qasjen ndaj skenarëbe të Beogradit dhe minoritetit serb në Kosovë, të cilin Beogradi e ka përdorur vazhdimisht si levë për të fshehur politikat hegjemoniste ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Duke qenë se përsëritja e skenarit të Banjskës tani është bërë e pamundur, Beogradi ka ndryshuar qasje dhe i është rikthyer praktikabe dhe strategjive të përdorura nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit në vitet 1990. Kjo strategji e re synon ta paraqesë Kosovën si një shtet në konflikte të brendshme ndëretnile e vazhdueshëm ndërmjet shumicës shqiptare dhe pakicës serbe, duke e zhvendosur vëmendjen nga politika destabilizuese e Beogradit tek viktimizimi i pakicës serbe!
Përmes kësaj narrative të viktimizimit, Beogradi përpiqet ta paraqesë veten si palë neutrale dhe mbrojtëse të të drejtave të serbëve në Kosovë, duke u përpjekur të transferojë përgjegjësinë për tensionet te institucionet kosovare. Kjo nënkupton një përpjekje për të instaluar padëgjueshmëri institucionale nga ana e serbëve lokalë dhe krijimin e një linje të drejtpërdrejtë komunikimi e vartësie politike mes tyre dhe autoriteteve të Beogradit. Në këtë mënyrë, synohet krijimi i një realiteti paralel institucional që sfidon sovranitetin e Kosovës.
Përballë kësaj strategjie, institucionet e Kosovës duhet të tregojnë maturi politike dhe profesionalizëm, duke shmangur reagimet emotive apo folklorike që mund të perceptohen si anti-serbe dhe që vetëm sa e forcojnë narrativën serbe të viktimizimit në arenën ndërkombëtare.
Rënia në këtë kurth do të përbënte një autogol strategjik për Kosovën – një zhvillim që Beogradi e pret me padurim. Në vend të patriotizmit retorik, është thelbësore fuqizimi i shtetit ligjor dhe zbatimi i barabartë i ligjit për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie. Vetëm përmes një qasjeje të tillë, Kosova mund të zhbëjë narrativat destabilizuese të Beogradit dhe të ruajë imazhin e saj si një shtet demokratik që respekton të drejtat e komuniteteve joshqiptare. Dështimi për ta bërë këtë do të ndërlikonte më tej procesin e njohjes ndërkombëtare dhe integrimit të shtetit të Kosovës në strukturat euroatlantike. Në të njejtën kohë, frustrimi synë ndaj sjelljes asimetrile nuk guxon të kthehen nënhisteri antiperëndimore, sepse ky orientim mbetet i pa alternativë!