Në përvjetorin e 26-të të Marrëveshjes Ushtarako-Teknike të Kumanovës, analisti dhe njohësi i të drejtës ndërkombëtare, Sylë Ukshini, ka komentuar domethënien historike dhe politike të kësaj marrëveshjeje, e cila i dha fund luftës në Kosovë më 1999. Ukshini thekson se Marrëveshja e Kumanovës, së bashku me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, nuk përfaqësonin kapitullim formal të Serbisë, por shënuan një kthesë vendimtare në nxjerrjen e Kosovës nga juridiksioni shtypës serb. Ai e cilësoi këtë marrëveshje si “gozhdën e fundit në arkivolin e krijesës së Versajës”, duke theksuar se për shqiptarët ajo krijesë kishte sjellë vetëm vuajtje, spastrime etnike dhe gjenocid. “Marrëveshja e Kumanovës shënoi fundin e ambicieve të shfrenuara serbe dhe ka një simbolikë të thellë historike,” tha Ukshini, duke rikujtuar se kjo marrëveshje u nënshkrua pikërisht në qytetin ku Serbia kishte nisur projektin e saj të Serbisë së Madhe me fitoren në betejën e vitit 1912. Sipas Ukshinit, edhe pse projekti i Serbisë së Madhe u varros me çlirimin e Kosovës më 1999, armiqësia e Beogradit zyrtar ndaj Kosovës ka mbetur e pandryshuar. “Serbia nuk ka treguar asnjë pendesë për krimet e kryera në Kosovë nga regjimi i Millosheviqit. Arroganca dhe nostalgjia e tyre për ide fashiste është ende e pranishme,” u shpreh ai.
