Sylë Ukshini: Nga Rambuje te Bombardimet: Rrëfimi i James Rubin dhe kundërshtimi amerikan për krijimin e një sektori rus në Kosovë

Në një kohë kur diskursi publik shpesh ndikohet nga amnezia historike dhe shfaqet një frymë antiamerikane, leximet e literaturës së shkruar nga protagonistët e drejtpërdrejtë të ngjarjeve mbeten thelbësore për të kuptuar ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë. Ditari i James Rubin – ish-këshilltar i afërt dhe zëvendës i Sekretares së Shtetit Madeleine Albright – përbën një burim me rëndësi të veçantë, sepse ofron dëshmi nga brenda për rolin vendimtar të Shteteve të Bashkuara në ndërhyrjen ajrore të vitit 1999 kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Rubin thekson se, si profesionist i angazhuar në diplomaci, kishte bindjen e plotë se Uashingtoni kishte dhënë të gjitha mundësitë e arsyeshme për një zgjidhje paqësore dhe se sulmet ajrore mbeteshin opsioni i vetëm i besueshëm. Ai shprehet madje se ndërhyrja duhej të ishte bërë më herët. Për të, por edhe për Albright, çështja e Kosovës kishte marrë përmasa personale që lidhnin kujtimet e luftës së Bosnjës me dështimet e komunitetit ndërkombëtar për të parandaluar gjenocidin në vitet 1992–1995.
Rubin kujton se gjatë viteve 1993–1994, përpjekjet e tyre kishin qenë të përqendruara në shpjegimin e mungesës së vullnetit perëndimor për të ndalur masakrat në Bosnjë. Përvoja nga kjo periudhë ndikoi drejtpërdrejt në qëndrimin e Albright dhe Clinton gjatë krizës së Kosovës. Albright, e cila shpesh përmendej si arkitekte e ndërhyrjes, ishte e vendosur të mos përsëriste gabimet e Bosnjës, ndërkohë që Clinton mbështeti qasjen e saj për të kombinuar diplomacinë me kërcënimin real të forcës.
Rubin pohon se brenda administratës amerikane kishte përçarje serioze lidhur me përdorimin e forcës ushtarake gjatë vitit 1998, ndërsa edhe disa prej aleatëve më të afërt, si Britania e Madhe, shfaqnin rezerva përpara Konferencës së Rambujesë. Sipas tij, Franca dhe Italia madje tentuan të pengonin unifikimin e qëndrimit të NATO-s kundër Beogradit. Megjithatë, Uashingtoni kishte kuptuar se Rambuje do të ishte pika e fundit: ose do të arrihej një marrëveshje për vendosjen e forcave paqeruajtëse, ose, siç pritej, Beogradi do ta refuzonte çdo kompromis dhe do të hapej rruga për një fushatë ajrore të NATO-s për mbrojtjen e shqiptarëve të Kosovës.
Rubin përshkruan edhe një episod domethënës të diplomacisë amerikane: bisedën e hapur të Albright me ministrin e jashtëm rus Igor Ivanov në Moskë, ku ajo i bëri të qartë se Rusia nuk kishte të drejtë vetoje mbi përdorimin e forcës nga NATO. Sipas Ivanov, pikërisht kjo qartësi e Albright e shtyu Moskën të pranonte, ndonëse me rezerva, kërcënimin e aleancës me ndërhyrje ajrore.
Kundërshtimi amerikan ndaj sektorit rus në Kosovë
Pas përfundimit të fushatës ajrore, angazhimi amerikan nuk u shter. Nga rrëfimi i John Norris në librin “Collision Course: NATO, Russia, and Kosovo”Westport: Praeger Publishers, 2005, del qartë se SHBA, e përfaqësuar nga Strobe Talbott, kundërshtoi me vendosmëri përpjekjet e Rusisë për të krijuar një sektor të veçantë në Kosovë.
Rusët propozonin një zonë nën komandë të plotë ruse, me mundësi refuzimi të urdhrave të KFOR-it. Talbott dhe pala amerikane e refuzuan prerazi këtë kërkesë, duke argumentuar se një sektor i tillë do të kthehej në magnet për serbët që kërkonin mbrojtje nga Moska, por njëkohësisht edhe për elementë radikalë shqiptarë, duke e shndërruar atë në vatër destabiliteti dhe instrument të Milosheviqit për të minuar stabilitetin e brendshëm.
Argumenti për unitetin e komandës
Talbott theksoi se propozimi rus cenonte parimin themelor të unitetit të komandës. Ai e formuloi qartë: “në efekt, kjo është ndarje (partition).” Për SHBA dhe NATO, ofrimi i një “zone përgjegjësie” ishte maksimumi i kompromisit të mundshëm, por krijimi i një sektori të pavarur rus konsiderohej i papranueshëm.
Qëndrimi amerikan: asnjë ndarje e Kosovës
Në përfundim, pozicioni amerikan ishte i qartë dhe i patundur: NATO dhe KFOR duhej të funksiononin me një komandë të vetme të integruar. Çdo tentativë për sektor të veçantë rus shihej si hap drejt ndarjes së Kosovës, diçka që Uashingtoni e kundërshtonte fuqimisht. Talbott paralajmëroi se çdo dislokim i njëanshëm i trupave ruse do të kishte “kosto të larta” dhe do të sillte rrezik për konfrontim të drejtpërdrejtë mes dy fuqive.

Kontrolloni gjithashtu

Prof. Dr. Jeton Kelmendi: ATY KU EKSTREMI BËHET NORMË – SHOQËRIA PO TË SHPËRBLEN

Prof. Jeton Kelmendi PhD: Kosovën e udhëheq zonja më pak se gjysmëpresidente

Në çdo demokraci moderne, roli i presidentit është të mishërojë unitetin e kombit. Presidenti nuk …