Në 15-vjetorin e opinionit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për pavarësinë e Kosovës, ish-diplomati Sylë Ukshini ka komentuar qëndrimin e vazhdueshëm të Serbisë ndaj Kosovës, duke e cilësuar si një përpjekje anakronike të bazuar në mite të shekullit të kaluar. Ukshini tha se Serbia po vazhdon të ëndërrojë për Kosovën, ndonëse zhvillimet juridike ndërkombëtare e kanë mbyllur përfundimisht këtë kapitull. “Problemi i Serbisë është që jeton në shekullin XXI me mite të mesjetës. Është një anomali. Në aspektin juridik, pranimi i Kosovës në GJND e ka përmbyll çdo tentim të Serbisë për ta krijuar Serbinë e Madhe”, u shpreh Ukshini. Ai theksoi rëndësinë e opinionit të GJND-së të dhënë më 22 korrik 2010, i cili konfirmon se shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 nuk ka shkelur asnjë normë të së drejtës ndërkombëtare. “Ka qenë një angazhim i jashtëzakonshëm i shteteve njohëse, sepse e dinin se nëse kjo betejë humbej, çështja do të komplikonte rëndë. Kjo betejë është kapitalizuar në mënyrën më të mirë, edhe përkundër angazhimit të shteteve si Kina e Rusia në anën e Serbisë”, shtoi ai.
