Sylejman Krasniqi

Sylejman Krasniqi: AUTORËSIA E VËRTETË E ROMANIT “TRADHËTIA”

      Një vështrim për librin “Tradhëtia e shumëfishtë” e poetit, prozatorit, gazetarit dhe publicistit Fehmi Ajvazi të botuar në muajin qershor 2023 nga botuesi “Lena Graphic”, Prishtinë.

          Nga e kaluara jonë, kemi trajtuar shumëçka ashtu siç, shumëçka edhe kemi mbetur pa e trajtuar. E kjo na shtynë të gjykojmë se një pjesë të historisë, ne nuk e njohim. Arsyet janë nga më të ndryshme, ashtu siç ka edhe pa arsye, neglizhencë, mbyllje në koncepte dhe procese, mungesë guximi, bashkëveprime etj. . Akte e veprime, ngjarje, procese etj., janë të pa zbërthyera. Disa, do të treten pa gjurmë në mungesë të hulumtimit dhe në mungesë të dëshmive, fakteve, të dhënave konkrete nga terreni historik. Autori, Fehmi Ajvazi, i ka hyrë një pune mjaft të vështirë, delikate, të pa lëvruar deri tani nga askush, por mbi të gjitha, i ka hyrë një shtegu të guximshëm sepse, i është dashur të depërtojë nëpër labirintet të rrezikshme të shërbimeve sekrete të ish-Jugosllavisë. Në vorbull të hulumtimit, atij i kanë munguar për një kohë të gjatë të dhënat dhe faktet, por ka  qenë intuita dhe përvoja ato që kanë ndikuar që z. Ajvazi, të mos heqë dorë nga shkrimi i këtij libri të rrallë në literaturën shqipe. 

         I ndodhur në mes të dy botëra të kundërta, autori e ka kuptuar se “bota e mirëfilltë” dhe  “bota kriminele” e kanë dominuar gjeografinë, që domethënë banorët e saj: shqiptarët! Do të thoshim, nuk ka popull në botë që ka përjetuar më shumë dhunë, terror dhe barbari më shumë se populli ynë, madje në mënyrë sistematike nga armiq të ndryshëm dhe ne, sot e kemi shumë të vështirë që ta shkruajmë historinë tonë. Prandaj, edhe e kemi të vështirë që t’i hulumtojmë, faktojmë, krahasojmë etj., dy botët e shekullit XX-të që e kanë dominuar gjeografinë e shqiptarëve: ajo autoktone, dhe tjetra bota sllave e që ne, e nënkuptojmë kryesisht si “bota serbe”! 

           Libri në fjalë “Tradhëtia e shumëfishtë”, është e natyrës së terrorit, spiunazhit dhe e krimit të organizuar kundër shqiptarëve dhe kundër çdo gjëje shqiptare nga nivele të larta – të organizuara, si në kohët e mbretërisë serbe dhe si në kohën e ish Jugosllavisë komuniste. Duke e lexuar këtë libër, natyrisht me ngadalë dhe duke pasur edhe njohuri të përgjithshme paraprake, e kuptojmë rolin e autorit në qasjet e tij, në konceptet dhe hulumtimet e tij. Përmbajtja e librit, bazohet në një histori reale. Nuk ka asgjë të improvizuar, artistike, estetike: në rreth 300 faqet e librit, zbërthehet një projekt agjenturorë i shërbimit sekret ushtarak jugosllav që për qëllim, ka luftën sistematike kundër shqiptarëve dhe zgjerimin territorial ekspansionist serb dhe jugosllav në viset jugore të gadishullit ballkanikë.    

Dekonspirimi i vështirë i një tematike agjenturore

        Autori, duke e hulumtuar bërthamën e temës së tij, na sjellë “dy personazhe” mes të cilëve, në distancë zhvillohet një betejë për jetë a vdekje! Këta dy personazhe nuk janë njohur dhe as nuk janë takuar kurrë, por njëri është shqiptarë dhe tjetri serb. Njëri përfaqëson interesin dhe identitetin e kombit të tij, dhe tjetri, përfaqëson interesin dhe politikat e shtetit të tij! Deri sa i pari, Haki Limani është një personazh sporadik ( në ardhje e sipër – ende i pa ekspozuar), i dyti, Kapllan Resuli, është një personazh në sforcim e sipër i cili, ekspozohet gjithnjë e më shumë në publik. 

          Të dy ,janë në rolin e shkrimtarit: por Hakiu sapo ka filluar të shkruaj, dhe atë në mënyrë të fshehtë, dhe Kapllani i cili ka filluar të shkruaj por që nuk ka lidhje me këtë dhunti, e zanat. Ai, është i përgatitur si agjentë sekretë, ndërsa që i mundësohet të nënshkruan tregime e novela, shkrime të cilat me urdhër dhe mbikëqyrje të pushtetit, i shkruajnë të tjerët në emër të Kapllanit. Ballafaqimi në mes të Haki Limanit, një intelektual i nivelit ta lartë akademik në formim e sipër nga Tërnava e Preshevës, i cili jeton dhe vepron në Prishtinë, dhe në mes të Kapllan Resulit, një oficer i KOS-it jugosllav, i cili endet andej – këndej në territorin e Jugosllavisë, është detyrim i autorit Fehmi Ajvazi për ta hulumtuar, krahasuar, sistemuar dhe analizuar të vërtetën tematike. Pa këtë “ballafaqim”, është e pamundur që të shpalohet “e vërteta”, gjithsesi, përmes gjetjes dhe zbërthimit edhe të shenjave, dokumenteve dhe të dhënave autentike mbi krejt përmbajtjen e librit.  

          Autori në fjalë, duke e pasur parasysh përvojën e tij, të kaluarën, leximin dhe sidomos informacionin e tij, guxon t’i rrektet shkrimit të këtij libri. Ndonëse, fillimisht i mungojnë “dëshmitë dhe faktografitë”, atij nuk i mungon hulumtimi, mbledhja dhe grumbullimi i materialit bazë për librin. Duke ditur ta zbërthejë dhe studioj materialin e grumbulluar ( autori është ish gazetar, politolog dhe shkrimtar), z. Ajvazi përdorë me kujdes edhe metodat e ndryshme shkencore. Autori, një kohë të gjatë dyshon, mbase me vite të tëra, dhe pastaj përpiqet ta zbulojë autorin e vërtetë të romanit të njohur historik “Tradhëtia”. Romani, së pari është botuar në vitin 1965 në Tiranë, pastaj është ribotuar në vitin 1967 në një tirazh prej 20 000 kopje. Është një nga romanet më të mirë historikë në letërsinë shqipe. 

          Botimi i këtij romani aso kohe, kishte pasur jehonë të madhe dhe ishte pritur me  interesim të jashtëzakonshëm. Deri sa në Shqipëri ky roman ishte lexuar në mënyrë legale, në Kosovë dhe në viset e tjera, ishte lexuar në mënyrë të fshehtë – ilegale meqë, shërbimet jugosllave e kishin trajtuar me automatizëm si roman me karakter antijugosllav. Pra, “historia” e romanit si tekst, është e komplikuar. Por, edhe më e komplikuar i ishte dukur z. Ajvazi historia e shkrimit të romanit, në të vërtetë “autorësia” kur ky, e kishte lexuar romanin “Tradhëtia” në vitin 1993, Siç e cekë edhe vet autori, menjëherë pas leximit të romanit, dhe pasi e lexon biografinë e autorit (Kapllan Resuli) shfaq dyshime për autorësinë e romanit në fjalë. 

          Por, pse shfaq dyshime autori ? Sepse, z. Ajvazi ka lindur dhe ka jetuar një kohë të gjatë në territorin ku zhvillohen ngjarjet në roman, në vendbanimet prej nga janë personazhet e romanit, dhe siç e thotë jo njëherë, ishte rritur me “tregimet” për ta, me ngjarjet që saktësisht, përshkruhen në roman. Ky territor, është regjioni i Karadakut. Në cilësinë e gazetarit, por edhe si krijues, para vitit 2000 z. Ajvazi, ishte përpjekur të thoshte diçka mbi këtë “tregim”, ndërsa që ishte koha kur Kapllan Resuli, si shkrimtar, ishte i paprekshëm në letërsinë shqipe.  

          Dyshimi i z. Ajvazi, rritet edhe më shumë kur në shtypin e kohës, paraqitet Nafi Çergani (një ish operativist i zellshëm i UDB-s jugosllave në Shkup), i penduar publikisht që kishte punuar për shërbimin jugosllav. Ai, e vë në dyshim autorësinë e Kapllan Resulit për romanin “Tradhëtia”, meqë dëshmon se e ka pasur në sirtarë dosjen e tij në UDB-në e Shkupit. 

          Është e pamundur, thotë autori, Fehmi Ajvazi, që një ulqinak (Kapllan Resuli ishte i lindur në Ulqin), pa pasur asnjë lidhje me anën e Karadakut të Gjilanit, ta njoh aq mirë atë terren, ata njerëz, ato vise dhe atë mentalitet, sikurse janë përshkruar në roman. Këtë mund ta bëjë vetëm njeriu i asaj ane, ose njeriu që ka pasur lidhje shumë të forta emocionale, organizative, miqësore etj., me atë zone! E këto të gjitha, i kanë munguar Kapllan Resulit, njeriut të UDB-së – KOS-it jugosllav. Në hulumtimin, analizën dhe studimin e hollësishëm të personazheve, ngjarjeve dhe botës së errët të konspiracionit dhe agjenturave, Fehmi Ajvazi, i zbërthen të gjitha variantet e mundshme për autorësi të romanit dhe ndalet, sipas mendimit tim, në të vetmen mundësi të autorësisë: te personi “Haki Limani”. Sepse prej të gjithëve që janë përmendur shkarazi për autor të mundshëm të romanit, i vetmi është Haki Limani i cili, mund ta shkruante atë libër me të gjitha ato të dhëna të sakta për atë terren dhe për ata njerëz. 

Personazhi “Haki Limani”

          Është e pamundur që me pak fjalë, me pak faqe të shpjegohet tematika e këtij libri, i veçantë për nga natyra dhe përmbajtja. Mirëpo, më e pakta e “përmbajtjes” së këtij libri, na ndihmon të informohemi se shteti jugosllav, i dominuar nga serbët, ka vepruar ditë e natë kundër shqiptarëve. Në Beograd, janë hartuar plane e projekte siç, është edhe ky rast ku shteti qëndron mbrapa një plani të rrezikshëm me dimensione shkatërruese. Ky plan, ku Kapllan Resuli ka qenë në krye, ka mbetur në tentativë. Por, krahas de konstruktimit të planit ne arrijmë të kuptojmë se, si janë zgjedhur, hartuar dhe zbatuar objektivat kundër shqiptarëve. 

          Në libër, janë “dy personazhe” me role të kundërta, diametralisht të kundërta dhe unë them se autori Fehmi Ajvazi, ia ka arritur qëllimit në zbërthimin e enigmës së autorësisë të romanit “Tradhëtia”. Duke e zbërthyer këtë “enigmë”, e kuptojmë fatin tragjik të popullit shqiptarë, e më konkretisht, të autorit të vërtetë të romanit: Haki Limani. Pra, kemi të bëjmë me zhvillimin e një drame të vërtetë agjenturore që, në rrethanat normale, duket si një dramë irreale! 

          Duke e lexuar më tej librin e z. Ajvazi mbetet ende enigmë se si ka arritur romani nga Haki Limani, deri tek Kapllan Resuli. Këto që i thotë z. Ajvazi, janë ende gjykime, pa ndonjë argument bindës. Por është normale sepse, ende është shumë i vështirë vërtetimi me fakte të mirëfillta mënyrën e marrjes ( vjedhjes ) së romanit nga Haki Limani dhe, dhënia e autorësisë për Kapllan Resulin. Ajo që dihet është se Hakiu, u likuidua nga shërbimet jugosllave gjashtë muaj pas botimit të romanit në Tiranë, ku ndodhej Kapllani si “i ikur politik apo si armik i Jugosllavisë”. Në të vërtetë, Kapllani ishte një agjent sekret jugosllav, dhe jo një shkrimtarë! Zbulimi bëhet edhe më i vështirë kur dihet se as Haki Limani dhe as Kapllan Resuli nuk janë sot mes të gjallëve, por as bashkë kohanikët e Haki Limanit nuk janë ndër ne. Edhe ata pak bashkë kohanik ose “shokë” të Hakiut që ende janë gjallë, e kanë mbyllur gojën me kohë dhe nuk flasin. Apo ndoshta dëshira e tyre është që kur të shkojnë në “dynjanë” tjetër, t’ua kumtojë të vërtetën vetëm Hakiut dhe Kapllanit! 

          Autori, Fehmi Ajvazi, ka bërë përpjekje aq sa ka mundur, për ta zbuluar mënyrën e “shkuarjes” së romanit nga Hakiu Limani tek Kapllani Resuli, por nuk ka mundur të hy më thellë në labirinthet e fshehta të UDB/KOS. Është munduar, mendoj unë që, nëpërmjet të aktit të aksidentit me makinë, e cila e vrau Hakiun ditën e 26 dhjetorit të vitit 1965 në Prishtinë, të hapet një derë për gjetjen e mënyrës së marrjes së dorëshkrimit të romanit nga Haki Limani por, si duket, skenari i grabitjes së romanit, dhe i likuidimit të Hakiut ka qenë tejet i sofistikuar sa që, edhe skenaristi më i përgatitur i nivelit të Hiçkokut, do ta kishte vështirë ta zbërthente pa posedimin e “dosjes” agjenturore jugosllave të Haki Limanit e cila, duhet të jetë në arkivat ushtarak në Beograd. 

         Si sot më kujtohet kur unë ( atëherë 19 vjeç. isha nxënës i profesorit Haki Limani, dhe e kisha kujdestar klase), pata dëgjuar, ditën e vdekjes së profesorit, se dy shqiptarë qenkan ngatërruar mes veti dhe si pasojë njëri nga ata është vrarë. Ky lajm i kobshëm ato dy-tri ditë u përshpërit nëpër Prishtinë, dhe sikur ta kishte përbirë dheu, më nuk është dëgjuar kurrë. Prej asaj dite , dhe disa muaj më pas, më nuk u dëgjua për asnjë vrasje në Prishtinë, e as në Kosovë. Nuk u mor vesh se kush ishte i vrari e as vrasësi i asaj dite! Ndoshta nga shkaku se vdekje tragjike e Haki Limanit kishte shkaktuar dhembje dhe kujë në Tërnavë, Preshevë , Prishtinë dhe në tërë Kosovën!

          Me aktin e vrasjes së Haki Limanit dhe të marrjes së romanit, pushteti serbë i ka arritur dy qëllime: e ka nxjerrë në sipërfaqe dhe e ka faktorizuar “Kapllan Resulin” si shqiptar të “devotshëm e patriot”, si shkrimtar shqiptar me ide të “pasura” dhe të njëjtin, e “shiti” si pjesë të kolonës së pestë në Shqipërinë londineze. E nga ana tjetër, e likuidoi një shqiptar të nivelit akademik, të pakrahasueshëm për kohën, një shkrimtar kulmor në ardhje e sipër dhe me perspektivë në letërsinë shqipe: Haki Limanin. Mjafton të përmendet romani “Tradhëtia” (sado që ishte me autorësi të rreme) i cili, bëri jehonë të jashtëzakonshme në Shqipëri dhe në Kosovë si asnjë roman tjetër i botuar pas Luftë së Dytë Botërore. Edhe pse i botuar pas romanit “Gjarpitë e gjakut” të Adem Demaqit, katër vite pas romanit të Azem Shkrelit “Karvani i bardhë” etj., romani “Tradhëtia” pati jehonë shumë më të bujshme në të gjithë hapësirën shqiptare. 

Çudia shqiptare!

          Nga Haki Limani pritej shumë, por atij iu pre rrugëtimin intelektual e shkencor në mes. Për këtë punë shumë delikate, të guximshme e të pakursyer, vlen të përgëzohet autori Fehmi Ajvazi. Me këtë punë të mundimshme dhe të palodhshme, autori e ka zhveshur tërësisht Kapllan Resulin (Resulbegoviqin) nga puna e tij antishqiptare: që nga arratisja e tij në Shqipëri në vitin 1960, dhe deri tek përgatitja e planeve për një kryengritje në Kosovë në vitet e 70-ta. Në pyetje, ishte një plan i trisht serbo-jugosllav për dominim absolut në Kosovë, e më pastaj edhe në Shqipëri. Pra, s’ka dyshim që Kapllani s’ishte shkrimtarë por një agjent i shërbimit kundër informativ jugosllav, dhe kjo dëshmohet edhe në këtë libër. Pikërisht për tentativat e këtilla, Kapllani u arrestua në vitin 1970 në Tiranë dhe u dënua me 20 vite burg. Dënimi i tij, s’kishte lidhje me romanin “Tradhëtia” dhe, as me likuidimin e Haki Limanit! 

          Haki Limani, ishte viktimë e planit, pjesë e rastësishme e një skeme të shumëfishtë agjenturore. Dorëshkrimi  i tij, u përdorë për ta mbuluar dhe faktorizuar figurën e Kapllanit rreth një misioni, që s’kishte lidhje me shkrimin dhe letërsinë. Për fat të keq, i ndihmuar edhe nga rrethanat politike dhe historike, ashtu si edhe nga mungesa e njohjes dhe e zbërthimit të këtyre rrethanave nga vet ne, Kapllan Resuli si para se të burgosej në Tiranë në vitin 1970 dhe si pas daljes nga burgu në vitin 1990, u trajtua si një shkrimtarë shqiptar. Madje, me mjaft përdëllesë e mirënjohje nga vet shqiptarët! Por, ai ishte një serb që jetoi rreth 60 vite në mesin e shqiptarëve, edhe pse kishte deklaruar disa herë se nuk ishte një shqiptar! 

          Kapllan Resuli, vdiq më 11 gusht të vitit 2022 në Gjenevë, dhe u varrosë me ceremoni kishtare në kishën serbe “Sveti Nikolla”, në Ulqin.       

Prishtinë 02.11.2023

Kontrolloni gjithashtu

Beqir Elshani: Simbolika në përrallat e Grimit

Sipas përrallave të vëllezërve Grim tregohet se mbretëresha në dimër ishte duke qëndisur pranë dritares …