Takim për Organizimin e Dëgjimeve Buxhetore në kuadër të Projektit DEMOS

Në kuadër të Projektit për Decentralizim dhe Përkrahje të Komunave (DEMOS), i cili synon përmirësimin e performancës së komunave në qeverisje, menaxhim dhe ofrim të shërbimeve, duke kontribuar në rritjen e kënaqshmërisë së qytetarëve, sot patëm nderin të mbajmë takimin e radhës të Grupeve Punuese për organizimin e dëgjimeve buxhetore për Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) në komunën e Deçanit.

Takimi u kryesua nga Drejtoresha për Buxhet dhe Financa, Dafina Cacaj, e cila e hapi takimin me një prezantim të planifikimit në vija të trasha të buxhetit për vitin 2026, si dhe sfidat që kanë dalë pas regjistrimit të fundit të popullsisë. Sipas rezultateve të regjistrimit të vitit 2024, Komuna e Deçanit ka shënuar rënie në numrin e banorëve, dhe si pasojë pritet që kjo të reflektojë edhe në ulje të buxhetit komunal.

Në takim morën pjesë edhe anëtarë të grupit punues nga Komuna e Pejës, si dhe përfaqësues të organizatës Helvetas/projektit DEMOS. Ndër ta ishte edhe udhëheqësi i komponentës për angazhim qytetar dhe planifikim të hershëm buxhetor, i cili theksoi rëndësinë që komunat të nisin sa më herët konsultimet si ato të brendshme ndërmjet drejtorive, ashtu edhe me qytetarët.

“Vetëm duke përfshirë zërin e qytetarëve në fazat e hershme, komunat mund të shqyrtojnë dhe përshtasin kërkesat e tyre në përputhje me kufijtë buxhetorë të përcaktuar nga Ministria e Financave,” theksoi Shala.

Kjo qasje u mundëson komunave të kenë kohë të mjaftueshme për të përfshirë grupe të ndryshme qytetarësh – veçanërisht ata nga komunitetet e margjinalizuara dhe të sigurojnë që procesi i buxhetimit në nivel lokal të jetë gjithëpërfshirës, i drejtë dhe i përgjegjshëm, si nga aspekti gjinor, ashtu edhe nga ai social.

Kontrolloni gjithashtu

Diskutohet gjerë e gjatë Rregullorja për organizimin e transportit të udhëtarëve me taksi

Komuna e Ferizajt, përkatësisht Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencës, ka hartuar Rregulloren për ushtrimin …