Disa banka komerciale në Kosovë kanë rritur deri në 100% tarifat e një sërë shërbimesh bankare, përfshirë tërheqjen e parave në degë, mirëmbajtjen e kartelave dhe shërbimet e e-banking, pavarësisht fitimeve rekorde të realizuara vitin e kaluar. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, sektori bankar e mbylli vitin 2024 me fitim neto prej 182.1 milionë euro, ndërsa nga janari deri në shtator 2025 fitimi arriti në 137.2 milionë euro. Megjithatë, qytetarët tashmë po paguajnë më shtrenjtë për disa shërbime bazë. Në disa banka, tarifa për tërheqje kesh deri në 10 euro është rritur nga 2 në 4 euro, mirëmbajtja e e-banking nga falas në 0.50 euro në muaj, ndërsa kartelat ‘Visa’ dhe ‘Master’ janë shtrenjtuar nga 15 në 18 euro në vit. Rritje ka pasur edhe në tarifat për SMS-njoftime dhe transaksione në valuta jo-euro. BQK ka konfirmuar se gjatë vitit të kaluar dhe 2025-tës ka pranuar 17 ankesa lidhur me ndryshimet e tarifave, duke theksuar se bankat janë të obliguara t’i publikojnë ato në mënyrë transparente dhe t’i njoftojnë klientët me kohë. Ndërkohë, nga Shoqata e Bankave të Kosovës kanë thënë se nuk i monitorojnë tarifat individuale të bankave. Ndryshimet kanë ngritur shqetësime te bizneset, të cilat kërkojnë më shumë siguri dhe transparencë në planifikimin e shpenzimeve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
