Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha këtë të mërkurë para gazetarëve se do të ishte humbje kohe nëse Gjykata Kushtetuese do t’i drejtohej Komisionit të Venecias për vendimin e shkarkimit të presidentit Ilir Meta. “Detyra ime është që e para të mos harrojmë që në 18 janar zhvillohet seanca e parë e Gjykatës Kushtetuese, ku pala e parë është kuvendi, e njëjta shumicë që mbart përgjegjësi. Nuk e di kur Gjykata Kushtetuese do shprehet për vendimmarrje. Ajo që kemi gjetur në raportin përfundimtar të komisionit Hetimor janë fakte dhe prova që justifikojnë shkarkimin. Në momentin e shkarkimit, kuvendi ushtron kompetencat dhe vijon zgjedhjen e presidentit të republikës. Jo më pak se 20 firma mund të mbështesin një kandidat. Në mes të prillit vijon procedura normale, në rastin e parashikuar dhe nga kushtetuta. Është procedurë ekstra kjo që hyn në aktivitetin. Kushtetuta ka parashikuar që në tre raundet e para presidenti zgjidhet me shumicë 3/5 e kuvendit ose me shumicë të thjeshtë, gjysma +1. jemi herët për zgjedhjen e presidentit të ri”, tha Balla. “Opinionet e vyera të Venecias kanë qenë ndihmuese, por biem dakord që opinioni i Venecias ka ardhur, ekziston, Gjykata Kushtetuese e ka jurisprudencën e nevojshme, do ishte humbje kohe, ndërkohë që ajo që ka më shumë rëndësi është vendimmarrja e Kushtetueses. Ajo ka agjendë prioritare, koha ka qenë në dispozicion, ka qenë e qartë që prej ditë së parë. Vendimi do të përshëndetet çfarëdolloj të jetë ai, sepse gjykata përfaqëson Kushtetutën”, sipas Ballës.
