Bram Vreugdenhil
Creator: Bram Vreugdenhil | Credit: Maarten Boer Copyright: Bram Vreugdenhil

Të dënuarit nga Gjykata Speciale do ta vuajnë dënimin në Belgjikë

Gjykata speciale në Hagë ka nënshkruar një marrëveshje me Mbretërinë e Belgjikës, përmes së cilës personat e dënuar nga kjo gjykatë do të mund të vuajnë dënimin me burg në territorin belg, pas hyrjes në fuqi të vendimeve përfundimtare. Marrëveshja u nënshkrua nga Administratorja e DHSK-së, Dr. Fidelma Donlon, dhe z. Zherar Div, Shef i Autoritetit Qendror për Bashkëpunim me Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Ministrinë e Drejtësisë së Belgjikës. Kjo marrëveshje parasheh që zbatimi i dënimeve të bëhet në përputhje me kushtet e përcaktuara nga DHSK-ja dhe me miratimin e palës belge. Kryetarja  Ekaterina Trendafilova, theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje si pjesë thelbësore e sistemit të drejtësisë penale ndërkombëtare. Ajo falënderoi Belgjikën për mbështetjen e saj të vazhdueshme dhe ftoi shtetet e tjera që të ndjekin këtë shembull, për të mundësuar zbatimin e plotë të mandatit të DHSK-së. Nga ana tjetër, përfaqësuesi belg, Zherar Div, konfirmoi përkushtimin e vendit të tij ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe funksionimit të Dhomave të Specializuara në përputhje me marrëveshjen mes BE-së dhe Kosovës, si dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila në nenin 162 përcakton se dënimet e dhëna nga DHSK kryhen jashtë vendit. Aktualisht, DHSK ka dhënë dënime për dy persona:

  • Salih Mustafa, i dënuar me 15 vjet burg
  • Pjetër Shala, i dënuar me 18 vjet burg

Megjithatë, zbatimi i dënimeve në Belgjikë mund të bëhet vetëm pas hyrjes në fuqi të aktgjykimeve përfundimtare. Kjo marrëveshje përbën një hap të rëndësishëm në funksionalizimin e plotë të sistemit të dënimeve të DHSK-së, duke siguruar një proces të besueshëm, në përputhje me standardet ndërkombëtare të drejtësisë.

 

Kontrolloni gjithashtu

Afati për presidentin po afrohet, institucionet ende pezull

Kosova po hyn në një fazë të ndjeshme institucionale, ndërsa 4 marsi afati i fundit …