Tefta Cami

Tefta Cami-Cani: Demonstratat e vitit 1981, në Kosovë, ishin një meteor që zgjoi popujt e Jugosllavisë dhe të Evropës I

Çdo veprimtari politike e një populli vlerësohet në kohën e hapësirën, kur dhe ku ndodhin e zhvillohen, ç’ program e ç’ strategji afatshkurta e afatgjata kanë projektuar e zbatuar. Ato janë vazhdim i formimit politik gradual të mëparshëm, si dhe përbëjnë bazamentin për veprimtaritë e ardhshme. U mbushën 40 vjet nga zhvillimi i demonstratave në Kosovë të rinisë studentore e shkollore, të punëtorëve  dhe të të gjithë popullsisë shqiptare të Kosovës të vitit 1981 me kërkesat e drejta për liri e barazi politike, ekonomike e shoqërore me të gjithë popujt e tjerë të Jugosllavisë, si dhe me parullat “Kosova punon, Beogradi ndërton”, “Kosova punon Beogradi fiton”, dhe më pas me parullën “Kosova Republikë”, “Republikë-Kushtetutë-ja me hatër-ja me luftë”.

Për shpërthimin e demonstratave të pranverës së vitit 1981, Beogradi me pa të drejtë fajësoi Shqipërinë. Shpërthimi i demonstratave kishte shkaqe te brendshme të vet sistemit jugosllav, të krizës së thellë politike e nacionale, ekonomike dhe të identitetit, të padrejtësive, të dhunës e terrorit dhe të gjenocidit, që vazhdonte të ushtrohej mbi popullsinë shqiptare në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare në Maqedoni e në Mal të Zi.

Shqiptarët e Kosovës përjetuan gjatë Luftës së Dytë Botërore masakrën e Tivarit me 2000 të vrarë pabesisht nga serbët dhe me shumë të vrarë si nacionalistë e kundërshtarë të tyre nga ana e serbëve gjatë e pas Luftës.

Shqiptarët e Kosovës përjetuan 90 mijë të pushkatuar pas çlirimit të vendit nga shovinistët serb me pretekstin e grumbullimit të armëve, duke ia dedikuar këto vrasje kriminale vetëm Rankoviçit. A mund të kishte familje në Ballkan e Evropë pa një armë menjëherë pas luftës. Po cila familje shqiptare në Kosovë mund të jetonte pa mbajtur një armë apo një çifteli, kur Kosova ishte e okupuar nga Serbia?

  3.Trojet shqiptare në Jugosllavi edhe pas Luftës së Dytë Botërore vazhduan të jenë të ndara në tri republika, megjithëse janë të një popullsie e të lidhura me territor, vetëm e vetëm për të mbajtur republikën e Maqedonisë e të Malit të Zi.

4.Shqiptarët përtej Drinit në Jugosllavi edhe gjatë regjimit të Titos përjetuan një genocit të pashembullt, duke i shpërngulur e degdisur shqiptarët nga vatrat e trojet e tyre drejt Turqisë e Greqisë dhe vendeve të tjera të Azisë së Vogël, si dhe duke i populluar trojet shqiptare me popullsi serbe e malazeze sipas projektit “Shpërngulja e Arnautëve” të çubrilloviçit të vitit 1937. Janë larguar qindra e qindra familje shqiptare, duke marrë me vete dhembje e lot të largimit nga vatrat e tyre, duke u larguar me një boçe me rroba, duke ruajtur gjuhën e traditat zakonore, këngët e gjithçka kanë mundur të marrin dhe duke lënë pas atdheun e tyre të dashur, vatrat e trojet e tyre, pasuritë të krijuara prej shumë brezave.

   5.Shqiptarët e Kosovës dhe ato që jetojnë në trojet e veta në Mal të Zi e në Maqedoni përjetuan trajtimin si popullsi të dorës së dytë e të tretë në Jugosllavinë Federale si përsa i përket përfaqësimit në forumet partiake e shtetërore, në institucione e ndërmarrje ekonomike, në punësime e shpërblime etj. Nuk u lejohej të mbanin simbolet kombëtare, duke filluar edhe me flamurin kombëtar.

Nga vitet ’70 Beogradi shpiku të ashtuquajturën komb jugosllav, që edhe shqiptarët e hungarezët që nuk ishin sllav, të quheshin të tillë, duke i favorizuar ata, që do të pranonin emërtimin si kombësi jugosllave, me kariera e punësime, me arsimim dhe privilegje të tjera. Kthimi në kombësi jugosllave ishte një formë gjenocidi i brendshëm, për të shuar e fshirë përfundimisht emërtimin si kombësi shqiptare……..

( “MPJ, Dosja nr. B?1-8, viti 1968, fl. 2-4.)

Informacion “Mbi marrëdhëniet e vendit tone me Jugosllavinë”…3) Për herë të parë ndodh që Jugosllavia shqyrton problemin e historisë së shqiptarëve hapet dhe ndërkohë i çel asaj perspektivë, pengesë për të cilën deri tani ka qenë Rankoviçi dhe grupi i tij. Pasi u dënuan iluzionet lidhur me çështjen që ngriti, pranoi se për krimet e bëra në Kosovë dhe për prapambetjen e saj në fusha të ndryshme nuk është shkaktar vetëm Rankoviçi por e gjithë klika titiste. Mendojmë se në këtë drejtim duhet të shkruaj shtypi ynë, duke demaskuar klikën titiste jo vetëm për zhurmën e madhe që ajo bën për këtë problem por edhe për faktin se për përdorimin e shprehjes “ shqiptarski “ në vend të “ albanë “, sipas titistit,  Gjeorgj Rashoviq gabimin e paskan albanezët e Kosovës që nuk e kanë bërë problem me kohë. Artikullin e Rashoviqit ua kemi dërguar me poste të hapët. Lika “

Këto e disa të tjera ishin shkaqet kryesore të akumuluara prej shumë vitesh të revoltimit të brezit të ri, të studentëve e të nxënësve dhe të punëtorëve, si dhe të të gjithë popullsisë së Kosovës. Në gjysmën e dytë të shekullit të XX-të të botës së qytetëruar edhe popullsia shqiptare në Jugosllavinë Federale ishte ndërgjegjësuar dhe nuk mund të pranonte më, që të bashkëjetonte në Federatë dhe të vazhdonte t’i nënshtrohej një trajtimi diskriminues. Shqiptarët në Kosovë e në viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi nuk kishin besuar e nuk do të besonin tek e ashtuquajture parullë falso e “Bashkim Vëllazërimit”, që publikohej, për të përligjur e justifikuar padrejtësitë.

1981

    Kosova edhe në vitet ’80-të vazhdoi të ishte krahina më e prapambetur në të gjithe fushat në Jugosllavi, ndonëse jepte prodhime te bollshme bujqësore e blegtorale, si dhe prodhime nga miniera e Trepçës që për nga sasia e cilësia e prodhimit zinte vendin e parë në Europë. Është një minierë e lashtë ilire, ku nxirrej plumb, zing, argjend, kristale e minerale te tjera me vlerë dhe ishte njëri nga motorët më të fuqishëm të ekonomisë jugosllave, që e shfrytëzonte Beogradi e  Serbia.

     Serbia ka shpikur një mit për të justifikuar pretendimet e lashtësisë së saj në Kosovë nëpërmjet monumenteve të kultit, të kishave e manastireve serbe. Në lashtësi ato kanë qenë ilire. Pastaj u kthyen në kisha e manastire romake dhe në fund serbe, sepse çdo pushtues ka përvetësuar traditën e vendasve autokton. Serbet vepruan për të përligjur edhe nga ana e monumenteve të kultit sundimin e vet në trojet e dardanëve.

     Dihet, se Ungjillin e Krishtit në trojet shqiptare e në Dardani, në Iliri e kanë sjellë apostujt nga Jerusalemi. Më vonë serbët janë kujdesur të ndryshonin historinë e krishterimit shqiptar deri te ndryshimi i emrave të qyteteve e fshatrave…Nga Jakovë, në Djakoviçë, si dhe shumë toponime të tjera në Kosovë..

     Demonstratat e pranverës së vitit 1981 qenë vazhdim e pikë kulmore të demonstratave të vitit 1968 dhe bazamenti i revoltave e demonstratave të mëvonshme të vitit 1990 e të organizimeve deri tek UÇK-ja, për të çliruar Kosovën nga pushtimi serb dhe për të shpallur pavarësinë.

    Siç del, demonstratat e pranverës së vitit 1981 janë organizuar e udhëhequr nga grupe ilegale, nga djem e vajza atdhetarë e zemërzjarrtë, të guximshëm e të sakrificës sublime, të fjalës e të veprës, të mendimit e të veprimit revolucionar, që kanë pas hartuar një strategji të qarte vizionare dhe që kanë qenë të guximshëm e të vendosur për të luftuar për liri e barazi me popujt e tjerë dhe për të hedhur këndvështrimin edhe më tej, deri në çlirimin nga zgjedha serbe dhe shpalljen e pavarësisë, si dhe bashkimin me atdheun amë.

    Për shtypjen e demonstruesve dhe të popullsisë shqiptare, Beogradi përdori dhunën e terrorin, burgosjet dhe vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme e të shtetrrethimit në Kosovë, për të shtypur uraganin mbarë popullor. Dislokuan ushtrinë me të gjitha mjetet e rënda luftarake gjatë gjithë kufirit me Shqipërinë. Hoqën tekstet e historisë, të gjuhës e letërsisë, tekstet e fushës së albanologjisë, që përdoreshin në gjithë sistemin arsimorë në Kosovë. Si në Mesjetë u dogjën edhe botimeve nga Shqipëria të Akademisë të Shkencave të Shqipërisë, të personaliteteve të shquara si të Budës, Çabejt, Kadares, Agollit, Arben Putos, Luan Omarit, Poradecit etj., duke i konsideruar të rrezikshme. Por nuk arritën dot të mposhtin e të asgjësojnë frymën e lirisë, forcën e guximit dhe vendosmërinë e uraganit te popullit shqiptar në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare në Jugosllavi. Beogradi ndërpreu marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë. Mbylli Universitetin e Prishtinës e Institutet e Larta si dhe shkollat e mesme. Hoqi nga përdorimi të gjitha tekstet e literaturën shkencore e letrare artistike të marra nga Shqipëria. Shpikën teorinë e diferencimit gjatë diskutimeve në institucione dhe në popull, që synonin të përçanin popullsinë shqiptare, duke filluar që nga familja, si dhe u sulmua dhe u hoqën nga puna gjithë inteligjenca më patriote e Kosovës. Për të ndihmuar studentët në Kosovë, u organizua në RTVSH dhënia e leksioneve nga profesorati i Shqipërisë sipas programeve.

     Dhuna e egër e terrori i ushtruar mbi popullsinë shqiptare vërtetohet edhe në raportin e mëposhtëm.

“Franjo Herleviçi në mbledhjen e Këshillit Federativ të Kuvendit të RSFJ- nga ATSH-ja , sipas TANJUG-ut, më 10 qershor 1981:

Irredentistët dhe nacionalistët shqiptarë gjatë muajve mars-prill të këtij viti kanë zhvilluar 16 demonstrata masive dhe aksione të tjera në 11 komuna të KSA-së së Kosovës.

   Gjatë periudhës së kaluar janë marrë masa represive e paraprake kundër rreth 1700 vetave. Sipas ligjit për shkeljen e rendit, deri tani janë ndëshkuar 506 vetë për shkak të pjesëmarrjes në demonstrata-387 vetë për përkrahjen e demonstratave-38 vetë, për përpjekje për të organizuar demonstrata-31 vetë, autor të parullave armiqësore- 46 vetë dhe për qëndrime publike armiqësore 154 vetë. Midis tyre janë 39 anëtarë të organizatave ilegale, 29 janë organizatorë të drejtpërdrejtë të demonstratave.

Kjo organizatë vepron me platformën e PPSH-ës. Janë identifikuar 5 anëtarë të KQ të saj. Organizata Lëvizje “Fronti i kuq popullor”, e cila zhvillon një veprimtari anti jugosllave me platformën e PPSH-ës dhe ka lidhje me KSAK dhe ne rajone të tjera të vendit tonë. “Partia Komuniste Marksiste Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi”. Lëvizja e lartpërmendur bashkim   i shqiptare në Jugosllavi dhe krijimin e një Shqipërie të madhe. Deri tani janë identifikuar 137 vetë, të cilët janë futur në “Lëvizjen kombëtare për çlirimin e Kosovës dhe të  krahinave të tjera shqiptare……

    ….Megjithatë, duke u bazuar tek gjendja ekzistuese, është e domosdoshme që masat e sigurimit, të marra në kohën e demonstratave të mëdha, duke përfshirë edhe praninë e milicisë të Sekretariatit Federativ të Punëve të Brendshme, të republikave socialiste dhe të KSA të Vojvodinës, të vazhdojnë të jenë në fuqi në KSA të Kosovës.

   Disa prej tyre janë dënuar me parë për veprimtari armiqësore, ndërsa një numër i caktuar ka pasur lidhje me shërbimin shqiptarë dhe me emigracionin shqiptarë në Perëndim. Qëllimi final shkëputja e Kosovës e të pjesëve të tjera të Jugosllavisë në të cilat jetojnë shqiptarë dhe aneksimin e tyre Shqipërisë.

  Demonstratat e Kosovës të vitit 1968  dhe më pas një sërë aktivitetesh armiqësore, si dhe në mars-prill të këtij viti, janë zhvilluar me të njëjtin qëllim dhe me të njëjtën platformë nacionale-irredentiste. Në pjesën më të madhe të këtyre aksioneve janë të njëjtët autorë. Megjithatë, në ndryshim nga viti 1968, vërehet se tani janë shumë vetë me arsim të lartë.

   Shërbimet e sigurimit të shtetit  nga viti 1974 e deri më 1981 kanë zbuluar në Kosovë 618 vetë, të cilët kanë vepruar në mënyrë të organizuar nga pozita nacionaliste-irredentiste. Janë dënuar 89 vetë me afat burgimi nga 1-15 vjet. Shërbimi i sigurimit publik ka paraqitur akuza për shkelje të rendit për 503 vetë, të cilët kanë mbajtur qëndrime të hapura armiqësore nga pozita nacionaliste e irredentiste shqiptare.

   Janë ndjekur penalisht 139 vetë. Janë ndëshkuar për shkelje të rënda 76 vetë. Në Kosovë dhe në republika të tjera janë zbuluar e likuiduar 13 grupe ilegale, të cilat kanë vepruar nga këto pozita.

   Faktorët zyrtarë  të Shqipërisë, shtypi dhe RTVSH-ja i përkrahin dhe i nxisin për aksione të  mëtejshme armiqësore.

   Policia ka arrestuar tre udhëheqës të grupit fraksionist shqiptarë, i cili punonte për kryengritje të armatosur në Kosovë dhe në pjesë të tjera të Jugosllavisë. Grupi quhej Lëvizja Kombëtare për çlirimin e Kosovës dhe të zonave të tjera shqiptare…

   Demonstratat që filluan në Universitetin e Kosovës lidhur me ankesat shoqërore, shpejt morën një karakter të fortë nacionalist dhe separatist dhe u përhapën në të gjithë krahinën, rajoni më i varfër i Jugosllavisë që banohet kryesisht nga shqiptare etnike”. ( ATSH, 10 qershor, 1981)  Vijon…

PËRSHËNDETJE DHE URIME TË GJITHË DEMONSTRUESVE TË VITIT 1981!

PËRKULEM ME NDERIM E RESPEKT NDAJ ATYRE QË U FLIJUAN NË ATO VITE DHE MË VONË PËR LIRINË E PAVARËSINË E KOSOVËS HEROIKE!

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Forcat armike ndërmarrin ofensivë në tërë territorin e Kosovë të përfshirë në luftime. Në mbrojtje të pozicioneve tona në Gradinë bien pesë dëshmorë. Forcat serbe nuk arrijnë të depërtojnë në Rrafshnaltë. (E diel 18 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Forcat armike ndërmarrin ofensivë në tërë territorin e Kosovë të përfshirë në luftime. Në mbrojtje të pozicioneve tona në Gradinë bien pesë dëshmorë. Forcat serbe nuk arrijnë të depërtojnë në Rrafshnaltë. (E diel 18 prill, 1999)

Herët në mëngjes jemi zgjuar në befasi nga breshëria tejet e akorduar dhe e gjith …