Tefta Cani

Tefta Cami – Cani: Jeta ime gjatë viteve IV

    MARRËDHËNIET ME KOSOVËN E VISET E TJERA SHQIPTARE

    Isha me fat që si ministre e Arsimit dhe Kulturës isha pjesë e projektit të madh mbarëkombëtarë të afrimit të shqiptarëve me atdheun amë, Shqipërinë dhe si ministre e drejtova atë projekt në institucionet e Arsimit e Kulturës, të Arteve dhe Sporteve në vartësi të Ministrisë. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën nga vitet 1968 e deri në vitin 1981, kur u ndërprenë kanë një rëndësi të madhe, sepse filloi të shkrijë akulli që qe krijuar për disa vite dhe po të vazhdonte ajo ndarje, do të ndikonte në ndarjen si komb e sllavizimin e plotë të popullsisë shqiptare përtej kufirit. Para se të emërohesha ministre ishin zhvilluar disa aktivitete mbarëkombëtare si:

  -Kremtimi i 500 vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtarë, Skënderbeut në vitin 1968 dhe Konferenca Shkencore “Skënderbeu dhe Epoka e tij”, ku për herë të parë kanë marrë pjesë katër historianë nga Kosova, si dhe studiues nga Evropa e Azia, arbëreshë të Italisë.

  -Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në vitin 1972 sipas motos të Seminarit të Kosovës të vitit 1968 të propozuar nga akademiku Ali Hadri “Një komb, një gjuhë”, ku kanē marrë pjesë përveç studjuesve të huaj edhe studiues e delegatë nga Kosova e viset e tjera shqiptare në Jugosllavi, si dhe arbëreshë të Italisë. Kongresi ka përfunduar me një Rezolutë të firmosur nga 75 delegatët për domosdoshmërinë kombëtare të zbatimit të gjuhës standarde shqipe.

  -Kuvendi i studimeve ilire në vitin 1972 me një Konferencë Shkencore me temë “Mbi prejardhjen ilire të shqiptarëve” ku kanë marrë pjesë përveç studiuesve të huaj nga Europa e Azia, arbëresh të Italisë, studjues nga Kosova e viset e tjera shqiptare në Jugosllavi. Në Konferencë prejardhja ilire e shqiptarëve është trajtuar në mënyrë komplekse të shtrirjes së Ilirisë në Gadishullin Ilirik si nga ana ekonomike, të bazës dhe të superstrukturës së organizimit, nga ana historike e arkeologjike, antropologjike, gjuhësore, etnografike, paleontologjike, të arkitekturës e ndërtimeve, të marrëdhënieve e të bashkëpunimit me popujt e tjerë fqinj e etj.

   -Në vitin 1978, kur isha ministre, u organizua kremtimi i 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe zhvilloi punimet Konferenca Shkencore mbi Programin dhe shtrirjen e programit të Lidhjes në të gjitha trojet shqiptare. Kane marrë pjesë dhe kanë referuar studues nga Shqipëria e Kosova e viset e tjera shqiptare në Jugosllavi, arbëreshë të Italisë dhe të Evropës. Për herë të parë është referuar hapur për programin e Lidhjes së Prizrenit e shtrirjen e atij programi si bërthamën e një shteti të pavarur kombëtarë. Në vitet 1870 e 1880 kishin filluar sulmet e fqinjëve për pushtimin e trojeve shqiptare si të serbëve e bullgarëve, malazezëve e grekëve, që Fuqitë e Mëdha të Evropës i copëtuan trojet shqiptare në vitin 1913, duke ua dhuruar Mbretërisë të Serbisë e të Greqisë.

   Pas përfundimit të Konferencave Shkencore për 500 vjetorin e Skënderbeut, te Kuvendit të Parë Ilir dhe të 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit  janë bërë disa botime, që janë përkthyer në disa gjuhë dhe kanë ndikuar në njohjen e saktë të çështjes shqiptare në Europë e Botë, sepse deri në ato vite ishin publikuar historia e shtrembëruar e shqiptarëve nga serbët e grekët.

  Në të katër këto aktivitete janë zhvilluar edhe veprimtari politike e kulturore dhe artistike, ku kanë marrë pjesë udhëheqja e partisë dhe e shtetit shqiptarë si Enver Hoxha e Mehmet Shehu e të tjerë.

  U morën eshtrat nga Stambolli të ideologut të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Abdyl Frashëri, që më takoi mua si ministre t’i çoja në Frashër në mes të dimrit në Shtëpinë Muze të Frashërlinjve. Ishin Camet, që e mbrojtën Abdyl Frashërin në atentatin që i bëri klani osmanist me Ago Jegenin, që i plagosi vetëm kalin dhe e përcollën deri në Prizren, sipas një informacioni të konsullit anglez me seli në Shkup. Dhe për koinçidencë nipi i vëllezërve Frashëri, Refaat Ansari është martuar me vajzën time.

   Më ka takuar si ministre të tërheqim eshtrat e Hasan Prishtinës nga Selaniku dhe t’i rivarosnim në Varrezat e Dëshmorëve në Kukës, ku kam folur për aktivitetin e tij patriotik kombëtarë. Ai ka qenë mik i familjes time Cami, që ka ardhur e bujtun dhe ka drejtuar lëvizjen për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga Shkupi kundër forcave pushtuese esadiste dhe serbo-bullgare në Dibër.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Forcat armike ndërmarrin ofensivë në tërë territorin e Kosovë të përfshirë në luftime. Në mbrojtje të pozicioneve tona në Gradinë bien pesë dëshmorë. Forcat serbe nuk arrijnë të depërtojnë në Rrafshnaltë. (E diel 18 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Forcat armike ndërmarrin ofensivë në tërë territorin e Kosovë të përfshirë në luftime. Në mbrojtje të pozicioneve tona në Gradinë bien pesë dëshmorë. Forcat serbe nuk arrijnë të depërtojnë në Rrafshnaltë. (E diel 18 prill, 1999)

Herët në mëngjes jemi zgjuar në befasi nga breshëria tejet e akorduar dhe e gjith …