Brickos

Teuta Ymer Elshani dhe rrëfimet e saj të dhembshme për luftën, tragjedinë familjare që ia shkaktuan kriminelët serbë, për mbijetesën...

Teuta Ymer Elshani dhe rrëfimet e saj të dhembshme për luftën, tragjedinë familjare që ia shkaktuan kriminelët serbë, për mbijetesën…

Jo rastësisht, baba Ymeri, poeti e shkrimtari  i njohur i Kosovës, ia kishte vënë emrin e Mbretëreshës ilire, bijës së tij, Teutës,  për kujtim e mos harrim të historisë. Si prind edhe kishte dëshiruar që të bëhej si Teuta, por mbase kurrë nuk e kishte menduar se ajo, një ditë  të mbetej e vetme si Doruntina, sepse duke qenë poet, humanist, shkrimtar dhe intelektual, kurrë  nuk e kishte menduar se një ditë Kosova dhe familja e tij dhe e shumë të tjerëve do të ndeshej me terrin e mizorinë, me barbarinë e  çmendurinë e një regjimi vrastar e gjakatar.

Doruntina kishte arritur te nëna me hijen e vëllait të vogël dhe kishte mësuar për tragjedinë që e kishte pllakosur familjen.  Teuta, pas tragjedisë, kishte mbetur e vetme, për të ruajtur kujtimin e mallin e pashuar për babanë, Ymerin, nënë Nafijen, vëllezërit, Ardiani 25 vjeç, Mirani 20 vjeç, Kujtimi 15 vjeç dhe Nderimi 10-vjeçar dhe për të rrëfyer për ta, për ta  ruajtur kujtimin e paharruar për jetën e tyre, për ëndrrat në lirinë e Kosovës, të cilat u bënë një me ëndrrat e Teutës.

Teuta Ymer Elshani është një intelektuale, që me kohë e ka kuptuar misionin e vet jetësor, me kohë është kalitur për të përballur atë që nuk e përballon dot as guri dhe ia ka dalë, ashtu sikur ia dalin heroinat e gjalla, heroinat e kohës sonë duke qëndruar e fortë, kurdoherë,  vertikalisht ashtu sikur kishte qëndruar dhe sikur e kishte mësuar  e edukuar babai,  e nëna.

Në intervistën e saj për TV-Dielli, ajo ka rrëfyer momentet më tronditëse, më të pikëlluara e të dhembshme për jetën dhe tragjedinë e familjes, të cilën ia mori barbaria e çmenduria fashiste serbe, e fundit  të shekullit 20-të.

Ajo ka rrëfyer për fëmijërinë, babanë intelektual, shkrimtar, poet, edukator, arsimues i brezave e mbi të gjitha një baba tepër i dashur për familjen dhe të gjithë të tjerët.

Në mars të viti 1999, kishte ndodhur në Prishtinë, në shtëpinë e xhaxhait, Zymerit, ndërsa familja në vendlindje, në Karraticën e Ulët të Drenicës.

Ajo iu kishte bashkuar radhëve të atyre që po largoheshin nga Prishtina, nga frika e arsyeshme për  ndonjë plojë e katrahurë njerëzore. Lajmin, për fatalitetin që ia kishte goditur familjen dhe të afërmit  më 17 prill të vitit 1999 e kishte dëgjuar në Kampin e refugjatëve, në Maqedoni.

Ajo i kujton të gjithë me radhë, babanë, nënën, katër vëllezërit, gjyshen që kishte qenë motra e mësuesit martir, Fazli Graiçevci, gruan e xhaxhait e të afërmit e tjerë…

Barra, të cilën koha ia ka ngarkuar mbi supe Teutës, është e rëndë, është më e rëndë se tunxhi por njeriu duron dhe duk e humb besimin, sidomos njeriu i pajisur me dinjitet e njerëzi, është i pamposhtur, sepse është seleksion natyror, sepse e ka përzgjedhur koha apo Hyji për të lënë një shembull të paharrueshëm për brezat, për brezat që cilët nuk e harrojnë gjakun e derdhur për liri, të vetëdijshëm se për lirinë duhet dhënë më të dhembshmen, që e disponon njeriu.

 Teuta, ashtu si Doruntina e motit, rron me kujtimin për familjen, rron me të gjithë sepse është gjaku, gjuha, kujtimi, fjala e të gjithëve. Ajo  është zëdhënëse e amaneteve të tyre të  bëra një me lirinë e Kosovës, me pavarësinë saj, me jetën e lirë në atdheun e lirë, që sa e sa herë ishte larë me gjak. Ajo është e mbijetuara e vetme nga familja e ngushtë,  dhe me kohë ka krijuar edhe familjen e vet për ta vazhduar jetën, tashmë në Kosovën  e çliruar nga barbaria serbe.

Teuta asnjëherë nuk e ka humbur arsyen, nuk është dorëzuar nuk është dhënë, sepse mbi supe ka bartur dhe mbanë kujtimet për ta, mbanë shpirtrat  e tyre, ashtu sikur mbajnë edhe shumë familjarë të tjerë në Kosovë, ashtu sikur Fadil Muçolli, madje edhe të tillë që kanë pësuar me krejt familjen, si Selatin Gërxhaliu e shumë syresh, që i kujtojnë liridashësit e liribërësit e Kosovës.

Ajo ka krijuar familjen e saj, e cila jeton në Amerikë, por vazhdimisht e viziton Kosovën, shtëpinë në Karraticë, tani në Kosovën e lirë e të pavarur, me kujtim e dhembje për të kaluarën por edhe me krenari për gjakun e derdhur në themele e lirisë së Kosovës.

Teuta Ymer Elshani nuk ndalet. Ajo vepron, angazhohet për zbardhjen e krimeve serbe, akuzon dhe kërkon nga shteti e institucionet të bëjnë gjithçka të mundin për të hartuar dosjet e kriminelëve dhe për të paditur barbarët, që kanë kryer krimet monstruoze  dhe shëtisin lirshëm jo vetëm në Serbinë sodomiste, por kudo në Evropës dhe në vende të botës.

Ajo po ashtu i ka vënë detyrë vetes për ta bërë muze Shtëpinë e lindjes, Shtëpinë e BABAIT dhe kërkon nga institucionet që ajo e shtëpi të tilla të merren nën mbrojtje institucionale.

Teuta ka botuar dhe ka ribotuar veprat e shumta të  babait. Ajo gjurmon shkrimet e tij në shtypin e kohës, takohet me dëshmitarë, hulumton, gjurmon, në mënyrë që ta kompletojë historinë familjare, në mënyrë që ajo histori të mos harrohet dhe të kujtohet nga brezat si shembull për të rrëfyer se deri ku mund të shkojë barbaria njerëzore nëse nuk frenohet me kohë, nga ata që e kanë mundësinë ta frenojnë.

 

Intervistën me Teuta Ymer Elshanin, në studion e TV-diellit e ka realizuar redaktorja dhe folësja, Arbanë Qeriqi-Gashi.

Në vazhdim:

Kontrolloni gjithashtu

Gabriel Escobar: Duam që Serbia të jetë shtet më i fuqishëm brenda komunitetit, me miq që ka në Amerikë dhe në Evropë

Pjesë nga intervista e të dërguarit special të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhënë ‘Zërit të Amerikës”

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në …