Hashim Thaci

Thaçi “rehaton” nëpër ministri akrabanë e deputetëve të LDK-së, me qëllim për t’i fituar votat për kryetar të Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Hashim Thaçi ua ka avancuar në mënyrë të jashtëligjshme familjarët e disa prej deputetëve e zyrtarëve  më me ndikim të LDK-së, të cilit ishin kundërshtar të fortë të Isa Mustafës.  Gazeta Blic nga burime brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme ka marrë vesh se vëllai i Armend Zemajt, Astrit Zemaj është avancuar nga pozita e konsullit, në atë të zëvendësambasadorit. Sipas këtyre burimeve, ky avancim është bërë në mënyrë të pa ligjshme, për faktin që nuk janë respektuar procedurat dhe ligji. “Për gradimin e zyrtarëve në shërbimin diplomatik, është dashur të formohet një komision, i cili do të duhej të merrte vendim. Mirëpo, në këtë rast vendimi është marrë direkt nga ministri, me rekomandim të Drejtorit të Përgjithshëm i MPJ-së”, ka theksuar ky burim i Gazetës Blic. Pos vëllait të Armend Zemajt, në mënyrë të kundërligjshme, Hashim Thaçi ia ka rehatuar vëllanë edhe deputetit tjetër, Arben Gashit, i cili po ashtu njihet si një nga kritikuesit më të mëdhenj të kandidatit për president.

Sipas burimeve të Gazetës Blic, vëllai i Arben Gashit, Asdren Gashi kalon nga pozita e këshilltarit, në atë të zëvendësambasadorit të Kosovës në Hungari.Duke iu referuar po këtyre burimeve, ngjashëm sikurse në rastin e Astrit Zemajt, edhe në këtë rast nuk janë respektuar procedurat e parapara ligjore. Këto avancime në mënyrë të jashtëligjshme kanë ndodhur para pak javësh.

Favoret e Hashim Thaçit për njerëzit e LDK-së nuk përfundojnë me kaq

Gazeta Blic ka marrë vesh që edhe djali i Vlora Dumoshit, e cila është ndër bashkëpunëtorët më të afërta të Isa Mustafës, është sistemuar nga ministri i Punëve të Jashtme.

Rron Kryeziu i cili para disa ditësh u punësua në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e që pastaj u transferua në Ministrinë e Punëve të Jashtme, para pak ditësh me vendim të Ministrit të Punëve të Jashtme u transferua në Ambasadën e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Edhe në këtë rast është bërë shkelje e ligjit, për faktin që djali i Vlora Dumoshit fillimisht nuk e kishte përvojën e duhur për këtë transfero dhe së dyti nuk janë respektuar procedurat ligjore”, ka thënë ky burim i Gazetës Blic.

Ndërkohë, partitë opozitare dhe shoqëria civile në vazhdimësi e ka kritikuar shërbimin diplomatik të Kosovës për politizim të skajshëm, çka ka bërë sipas tyre, që në shumë raste të dështoj diplomacia për shkak të joprofesionalizimit.

Sidoqoftë, Isa Mustafa gjatë kohës sa ishte në opozitë kritikonte në vazhdimësi qeverisjen e drejtuar nga PDK për kapje të shtetit, derisa premtonte që me ardhjen e LDK-së në pushtet, nuk do të ndodhnin më praktika të tilla. /Gazeta Blic/

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dje pas bllokimit në kufi me Serbinë të …