Thijs Reuten: Pas heqjes së masave, BE të procedojë statusin e kandidatit për Kosovën

Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, ka përshëndetur vendimin e Bashkimit Evropian për heqjen e pjesshme të masave ndaj Kosovës, duke kërkuar që hapi i radhës të jetë procedimi i aplikimit të Kosovës për statusin e vendit kandidat në BE.  Reuten ka uruar Kosovën për këtë zhvillim dhe ka kritikuar politikat e deritanishme të BE-së ndaj saj, duke i cilësuar si të gabuara dhe penguese për integrimin evropian të vendit. “Më në fund, urime Kosovë. Çfarë katastrofe ka qenë kjo politikë e BE-së. Tani mund të rifillojmë rrugën evropiane të Kosovës. Të radhës: të përpunojmë kërkesën e anëtarësimit që ka mbetur pezull prej vitesh”, ka shkruar Reuten. Ai theksoi se heqja graduale e masave, të cilat pritet të largohen plotësisht deri në fund të janarit 2026, së bashku me lirimin e një grupi të dytë të mjeteve financiare, krijon hapësirë reale për rikthimin e Kosovës në agjendën evropiane të zgjerimit. Reagimi i eurodeputetit holandez po vlerësohet si një sinjal pozitiv politik në Bruksel, duke rritur pritjet që kërkesa e Kosovës për anëtarësim në BE të trajtohet më në fund në mënyrë konkrete.

Kontrolloni gjithashtu

Urim i ngrohtë dhe plot mirënjohje: Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari përcjell mesazh frymëzues për Fitër Bajram

Me rastin e festës së shenjtë të Fitër Bajramit, Komandanti i Forcës së Sigurisë së …