Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka deklaruar para mediave se takimi i sotëm i partive politike i mbajtur me iniciativë të kryetarit të VV-së, Albin Kurti, nuk ka prodhuar rezultat, pasi sipas saj, nuk pati gatishmëri për marrëveshje nga ana e partisë në pushtet. Ajo theksoi se AAK-ja ka hyrë në takim me qëllimin për të arritur konsensus, por VV-ja nuk ka pranuar asnjë propozim nga opozita. Kadrijaj akuzoi pushtetin se po shtrembëron interpretimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe se po tenton të vazhdojë me një praktikë që ajo e konsideron të paligjshme. “Kemi kërkuar që të mos vazhdohet me votimin e komisionit dhe që votimi për kryetarin e Kuvendit të bëhet në mënyrë të hapur, sipas praktikave të mëhershme, siç ka rekomanduar edhe Gjykata Kushtetuese”, tha Kadrijaj. Deputetja e AAK-së u shpreh se mënyra se si po kërkohet të votohet – duke e përzier kryetarin me nënkryetarët – është e papranuar dhe nuk ka precedent ligjor. Ajo përfundoi duke shpresuar se Kurti do të reflektojë dhe nuk do të vazhdojë me atë që ajo e quajti shkelje të qëllimshme të Kushtetutës.
