Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka reaguar ashpër pas dështimit të 16-të me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar zhvillimin aktual si një “cirk parlamentar”. “Situata që po krijohet në Kuvend është bërë cirk. Kishte qenë më mirë që edhe ju të abstenonit nga këto seanca”, tha Kadrijaj, duke iu drejtuar kolegëve të saj pas seancës së dështuara të radhës. Ajo sqaroi se përfshirja e Gjykatës Kushtetuese në këtë proces ka ardhur si rezultat i një kërkese të përbashkët nga deputetët dhe presidentja Vjosa Osmani: Vetë Gjykata Kushtetuese e ka dërguar këtë material. Na ka njoftuar se do ta dërgojë materialin pas kërkesës së bërë nga ne si deputetë dhe nga presidentja Osmani, për të dërguar komentet e tyre. Ky reagim vjen në një klimë gjithnjë e më të tensionuar politike, ku mungesa e konsensusit ndërmjet partive ka bllokuar formimin e institucioneve të reja, ndërsa qytetarët vazhdojnë të jenë dëshmitarë të një paralize të zgjatur institucionale.
