Në Skenderaj, Zyra për Barazi Gjinore e kësaj komune udhëhequr nga znj. Qefsere Dautaj, ka mbajtur aktivitet me temën “Fuqizimi ekonomik i grave dhe vajzave”, me qëllim promovimin e mundësive të barabarta dhe rritjen e përfshirjes së grave në zhvillimin ekonomik.
Në panelin e diskutimit morën pjesë Drejtoresha për Zhvillim Ekonomik, Besarta Meha-Ademi, deputetja Ganimete Musliu, pjesëmarrëse nga shoqëria civile, Gentiana Zeqiri, të cilat ndanë pikëpamjet dhe përvojat e tyre lidhur me sfidat dhe mundësitë për fuqizimin ekonomik të grave dhe vajzave. Gjatë diskutimit u theksua rëndësia e mbështetjes institucionale, krijimit të politikave lehtësuese për ndërmarrëset gra, si dhe investimi në arsimim dhe aftësim profesional.
Në vijim, aktiviteti mori formën e një bashkëbisedimi të hapur me gratë pjesëmarrëse nga qyteti dhe fshatrat e ndryshme të komunës, të cilat ndanë përvojat, sfidat dhe idetë e tyre konkrete.
Aktiviteti u përmbyll me rekomandime të përbashkëta dhe angazhim për hapa të mëtejmë në mbështetje të grave dhe vajzave në tregun e punës.