Komuna e Malishevës ka mbajtur dëgjimin publik, të 23-të me radhë, me organizatat joqeveritare dhe Grupin e Grave në kuadër të procesit të hartimit të buxhetit komunal për vitin 2026.
Ky takim u zhvillua me qëllim të përfshirjes së drejtpërdrejtë të grupit të grave dhe shoqërisë civile në planifikimin buxhetor, përkatësisht buxhetimin gjinor dhe identifikimin e prioriteteve për zhvillim të qëndrueshëm.
Gjatë diskutimit, përfaqësuesit e OJQ-ve dhe Grupit të Grave paraqitën kërkesat dhe propozimet e tyre për investime në fusha të ndryshme si: fuqizimi ekonomik i grave, mbështetja për gratë fermere, shërbimet sociale, arsimi, përfshirja e të rinjve dhe infrastruktura lokale.
Drejtori për Ekonomi, Financa dhe Buxhet, Blerim Thaçi si dhe Zyrtarja Kryesore për Financa, Valentinë Krasniqi falënderuan të pranishmit për pjesëmarrjen aktive dhe theksuan se propozimet e dhëna do të shqyrtohen seriozisht dhe, sipas mundësive buxhetore, do të përfshihen në draftin përfundimtar të buxhetit për vitin 2026.
Ky dëgjim është pjesë e angazhimit të Komunës për transparencë, llogaridhënie dhe përfshirje të gjerë të qytetarëve në vendimmarrje.