Në Viti është mbajtur sot diskutimi publik për vlerësimin strategjik mjedisor, i organizuar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor. Në këtë takim morën pjesë qytetarë, përfaqësues të institucioneve lokale, ekspertë dhe palë të interesuara, të cilët u njoftuan nga afër me dokumentin strategjik që ka të bëjë me mbrojtjen dhe menaxhimin e mjedisit në territorin e Komunës së Vitisë.
Në hapje të këtij diskutimi foli drejtori për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, z. Visar Demiri, i cili theksoi rëndësinë e këtij dokumenti për të ardhmen e zhvillimit të qëndrueshëm të komunës. Ai u shpreh se ky dokument është bazë për të gjitha planifikimet hapësinore dhe zhvillimore, duke garantuar që ato të jenë në përputhje me standardet mjedisore dhe të respektojnë parimet e mbrojtjes së natyrës.
Ndërsa, z. Hasan Aliu, foli për përfitimet konkrete që do të ketë Komuna e Vitisë me implementimin e këtij dokumenti. Ai theksoi se zbatimi i masave të parapara do të ndikojë pozitivisht në cilësinë e jetës së qytetarëve, mbrojtjen e burimeve natyrore dhe në krijimin e kushteve më të mira për zhvillim ekonomik në harmoni me mjedisin.
Ky dokument është shpallë i hapur për shqyrtim publik më 17 qershor dhe përmbyllet më 16 korrik, dhe në kuadër të kësaj periudhe është paraparë të mbahet edhe diskutimi publik me qytetarët, në mënyrë që të merren sugjerimet drejtpërdrejt nga palët e interesuara.
Eksperti i licencuar për çështje të mjedisit, z. Valon Gërmizaj, prezantoi në detaje Planin Strategjik Mjedisor, duke ndaluar veçanërisht tek ndikimet që planifikimet hapësinore mund të kenë në mjedis, me fokus në ujërat, pyjet, biodiversitetin, si dhe shëndetin publik. Ai po ashtu bëri të ditur masat konkrete që janë paraparë për të minimizuar ndikimet negative mjedisore dhe për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm.
Gjatë prezantimit, z. Gërmizaj theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së komunitetit në këtë proces, si dhe rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve që dalin nga ky vlerësim strategjik. Ndër rekomandimet e dhëna u veçuan ruajtja dhe menaxhimi i burimeve ujore, mbrojtja e pyjeve, avancimi i politikave për menaxhimin e mbeturinave, si dhe rritja e kapaciteteve lokale për mbrojtjen e mjedisit.
Në fund të takimit, pjesëmarrësit patën mundësinë të parashtrojnë pyetje dhe të japin komentet apo vërejtjet e tyre në lidhje me dokumentin e prezantuar.
Ky diskutim publik është pjesë e angazhimeve të vazhdueshme të Komunës së Vitisë për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm dhe për të garantuar që aspektet mjedisore të jenë pjesë integrale e planifikimeve dhe politikave komunale.