Në sallën e Kuvendit Komunal të Rahovecit, në prani të përfaqësuesve të institucioneve publike lokale, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, mbajti takim informues mbi të drejtat e të mbijetuarve të torturës dhe dhunës seksuale, si dhe ndalimin e stigmës si një damkë shoqërore që i ka përcjellur të mbijetuarit për gjithë këto vite.
Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti diskutoi për të mbijetuarat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, për viktimat, për heshtjen e gjatë dhe për stigmën që ende mbartet mbi ta. Theks të veçantë i kushtoi thirrjes për realizimin e të drejtave të tyre dhe njohjes së statusit, si dhe benefitet që ata i kanë të garantuara me ligj.
Të pranishëm ishin tre të mbijetuarit e dhunës seksuale, znj. Vasfije Krasniqi Goodman, znj. Shyrete Tahiri si dhe z. Ramadan Nishori të cilët u bënë motivi dhe forca për të gjithë ata që përjetuan torturat e luftës, në çfarëdo forme.