U përkujtua Masakra e Rezallës

Në Rezallë të Skenderajt u mbajt tubim përkujtimor kushtuar Masakrës së Rezallës, të rënëve dhe martirëve të këtij fshati. Udhëheqësit më të lartë të institucioneve shtetërore Presidenti i Republikës Hashim Thaçi dhe Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur lule në nderim të të rënëve të këtij fshati.

Homazhe kushtuar të rënëve kanë bërë edhe udhëheqësit e Komunës së Skenderajt të prirë nga Nënkryetari i Komunës Fadil Nura, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, deputetë të Parlamentit të Kosovës dhe familjarë të shumtë.

Në këtë tubim përkujtimor fjalë rasti kanë mbajtur Presidenti Thaçi, Kryetari i Kuvendit Vesli dhe Nënkryetari i Komunës së Skenderajt Fadil Nura.

Presidenti Thaçi në fjalën e tij ka shprehur respektin për kontributin e Rezallës gjatë periudhës së luftës dhe angazhimin e banorëve të Rezallës në radhët e UÇK-së.“Ndihemi shumë krenar me të gjithë ata bashkëluftëtar, me familjet tuaja, që secila shtëpi e juaja këtu në Rezallë dhe kudo në Drenicë ishit Ushtri Çlirimtare e Kosovës, dhe të jeni të bindur dhe ndihuni gjithmonë krenarë, siç jeni ndjerë gjithmonë. Sepse, pa atë bashkim tuajin, pa atë sakrificë tuajën, nuk do të ndodhte e mrekullueshmja liri, që po e gëzojnë fëmijët e Kosovës sot”, ka theksuar Presidenti Thaçi.

Ndërsa Kryeparlamentari Veslei në fjalën e tij tha: “Dhimbjet dhe vuajtjet ishin të mëdha, por ne ia dolëm. Ne çliruam Kosovën dhe e krijuam shtetin e pavarur dhe sovran. Ne do ta zhvillojmë ekonominë tonë. Në Kosovën e lirë do të ketë punë dhe perspektivë për të rinjtë e saj. Ne do ta fuqizojmë shtetin tone”.

Nënkryetari i Skenderajt Fadil Nura tha në fjalën e tij se Komuna e Skenderajt mbetet e përkushtuar që çdo ditë të punës së saj tu shërbejë qytetarëve të Skenderajt në mënyrën më të mirë dhe me vetëdijen e plotë për sakrificën sublime të bijve dhe bijave të këtij vendi në themelet e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Fjalë rasti në këtë manifestim përkujtimor mbajtën edhe Xhavit Jashari në emër të Organizatë së Familjeve të Dëshmorëve, Prenk Gjetaj në emër të Zyrës për Persona të Pagjetur dhe Muhamet Rukolli në emër të fshatit Rezallë.

Më 5 prill të vitit 1999 në fshatin Rezallë u vranë nga ushtria serbe 44 civilë. Kjo ngjarje njihet si Masakra e Rezallës, ndërsa ky fshat kujtoi edhe dëshmorët dhe martirët e tjerë të tij.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi nënshkroi kontratat me tre praktikantë nga skema praktike në punë

Sot, kryetari i komunës së Rahovecit z. Smajl Latifi nënshkroi kontratat me tre praktikantë nga …