U përurua çerdhja publike në Drobesh

Në fshatin Drobesh të komunës së Vitisë, është përuruar sot çerdhja publike për fëmijë. Me këtë rast, komuna e Vitisë është bërë me çerdhen e tretë publike pas asaj në Viti dhe Çifllakë.

Në ceremoninë e përurimit dhe prerjes së shiritit mori pjesë kryetari i komunës, Sokol Haliti, i shoqëruar nga drejtoresha e Arsimit, Arta Ajeti.

Kryetari Haliti uroi banorët e Drobeshit dhe të fshatrave përreth për hapjen e kësaj çerdheje, duke theksuar rëndësinë që ka edukimi i hershëm dhe përkujdesja për fëmijët.

“Kjo është çerdhja e tretë publike në territorin e komunës sonë. Do të hapim shumë më shumë se një çerdhe sepse kemi obligim për përmirësimin e kushteve dhe krijimin e hapësirave shkollore sikurse edhe të çerdheve për filizat e rinj,” tha kryetari Haliti, duke falënderuar Këshillin e fshatit, asamblistët nga ky fshat, si dhe Ministrinë e Arsimit për realizimin e këtij projekti. Ai shtoi se arsimi parafillor mbetet një ndër prioritetet kryesore të qeverisjes lokale.

Kurse drejtoresha e Arsimit, Arta Ajeti, tha se investimi në këtë objekt është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve për edukimin e hershëm. “Kjo çerdhe do të krijojë mundësi më të mira për fëmijët dhe do të lehtësojë prindërit e kësaj zone,” u shpreh ajo.

Ndërkaq, drejtoresha e çerdhes “Gëzimi Ynë”, Mirlinda Sylejmani-Zuka, tha se është e lumtur që ishte e pranishme në hapjen e kësaj çerdheje, duke falënderuar kryetarin Haliti, drejtoreshën Ajeti dhe të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e projektit. Ajo shtoi se kjo çerdhe do të ofrojë kushte të mira për fëmijët, staf të përkushtuar dhe programe të përshtatura për zhvillimin e tyre.

Përndryshe, çerdhja në Drobesh do të shërbejë për fëmijët e këtij fshati dhe të zonave përreth dhe është mirëpritur nga qytetarët vitias.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Smajl Latifi vizitoi QKMF “DR. Fahredin Hoti”

Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) “Dr. Fahredin Hoti”, së bashku me Drejtorin e Drejtorisë …