Brickos

Murat Xhemajl Lika (1.2.1975 - 8.3.1999)

Murat Xhemajl Lika (1.2.1975 – 8.3.1999)

Familja e Murat Likës, nga fshati Qafshqipe (ish-Glloboçicë), e Komunës së Kaçanikut, në momente të caktuara të historisë u bë e njohur edhe me sakrificën e birit të vet, Muratit. Në radhët e UÇK-së ishte edhe vëllai i tij më i madh Mustafë Lika, ndërsa familja e tij ishte në shërbim të luftës. Murati ishte djali i katërt i babë, Xhemajlit dhe nënës, Mejreme, të cilët rriten, bijtë: Nejazin, Garipin, Mustafën, Emrushin, si dhe bijat: Nafijen Zyrafeten dhe Zebiben.
Murat Lika është lindur më 1 shkurt 1975, në Strazhë të Kaçanikut. Shkollën fillore, deri në klasën e katërt, e kreu në vendlindje, në rrënjët e Sharrit vigan, në majën e të cilit, Murati kishte shkelur shpeshherë, për ta vështruar Kosovën, Shkupin e Pollogun. Pastaj prej klasës së pestë e deri në klasën e tetë ka vazhduar në shkollën “Naim Frashëri” në Kotlinë.
Murati i ri kishte dëshirë të madhe të njihte bukuritë e atdheut dhe me kohë kishte vendosur që të përgatitet për t’i dalë zot atdheut në luftë deri në çlirim. Edhe pse i etur për dituri, për shkak të kushteve ekonomike dhe situatës së rëndë në Kosovë, nuk arriti të vazhdojë shkollimin në fakultet. Qysh i ri frymëzohet me ide atdhetare, e sidomos kur edhe se rinia e Kosovës po angazhohej me protesta, ishte pjesëmarrës në Kaçanik. Në vitin 1990 është rrahur brutalisht nga policia serbe së bashku me Gazmend Liken, ku edhe është mbajtur disa ditë në burgun në Ferizaj.
Aktiviteti i Muratit, në radhët e UÇK-së veç tjerash ishte orientuar në bartjen e armatimit, që sillej nga Maqedonia në Kosovë, për të furnizuar luftëtarët me armë e pritje dhe përcjellje të organizatorëve të luftës, deri kur u vendos në piken e luftës në Ivajë. Kontaktet e para me pjesëtarët e UÇK-ës i bëri me vëllezërit e tij: Mustafën dhe Emrushin.
Kah fundi i marsit të vitit 1998, Murati merret me furnizim me armatim dhe pajisje tjera luftarake. Ai Ishte i sistemuar në njësitin për furnizim të udhëhequr nga Ilaz Ceka. Në këtë njësit së bashku me Muratin ishin edhe Ilaz Ceka, Mustaf lika, Hajrush Luma, Bilall Ceka, Brahim Ceka, Mustaf Ceka, XHemshit Lika, Izahir Lika, Qani Luma, Ali Lika, Hamdi Lika, Selam Lika, Gazmend Lika, Sylejman Lika, Besim Lika, Afet Bulica, Xhevahir Lika, Sahit Lika, Ismajl Lika, Ibush Lika, ReXhep Lika, Muhamet Lika, Ekrem Lika, Fadil Lika, Rushan Ceka, Hasan Luma, Rexhep Luma, Arif Luma, Musli Luma, Izjadin Luma, Zymer Luma, Osman Luma dhe Mehmet Ceka.
Në kohen e furnizimit ka qenë në rolin e komunikimit me njësit tjera nga fshati Glloboçicë, gjithashtu gjatë asaj kohe është përkujdesur për mirëmbajtjen e armëve dhe servisimin e tyre. Në pikën e parë të luftës, vendoset në fillim të marsit 1999 në fshatin Ivajë, në kuadër të kompanisë së udhëhequr nga Ilaz Ceka, komandant kompanie e pastaj edhe komandant i Bataljonit të Tretë të Brigadës 162 “Agim Bajrami”.
Bashkëluftëtarët e tij të ngushtë ishin : Afeti, Izahiri, Sahiti , Mustafa, Ismajli, Sylejmani, Xhevahiri, Nexhmedini, sadriu, Fehmiu, Remziu, Ismeti, Sejdiu, Fadili, Metushi, Shabani, Sherifi, Ekremi, Xhemshiti, Selami, Latifi, Muhameti, Qaniu, Osmani dhe Zymeri.
Në vazhdimin e luftimeve të suksesshme të UÇK-së, më 8 mars 1999, forcat serbe marrin ofensivë fshatit Ivajë, ku okupatori organizon sulm me shumë forca të armatosura, me armët më moderne dhe me teknikë të përsosur ushtarake. Luftimet qenë ndërmarrë në territoret kodrinore me qëllim për asgjësimin e Ushtrisë Çlirimtare të kësaj treve me tërë popullatën civile. Sulmi i forcave policore dhe ushtarake serbe ishte i ashpër dhe i shtrirë në të gjitha drejtimet rreth fshatrave; Ivajë, Strazhë, Gajre dhe Kotlinë. Përballë kësaj hordhie okupatore, qëndronin ushtarët e lirisë, të Brigadës 162 Agim Bajrami. Ata qenë vendosur në istikame në pikat më strategjike të periferisë së fshatit, ku pritej depërtimi I forcave okupatore. Komanda e Brigades 162 Agim Bajrami, me kohë kishte vendosur njësitet e përgatitura për mbrojtje. Në mbrojtje të fshatit Ivajë ishin pozicionuar njësitet e Bataljonit të Dytë, në mbrojtje të spitalit ushtarak dhe shtabit të brigadës ishin vendosur policia ushtarake, në Ivajë të Vjetër dhe Gajre ishin të pozicionuara njësitet e Batalionit të Parë, kurse në Kotlinë dhe Puset e Nikës ishin të vendosura njësitet e Batalionit të Tretë. Sulmi filloi në mëngjesin e tetë marsit të vitit 1999. Ishte marrë vendimi që në asnjë mënyrë të mos dështonte mbrojtja, me qëllim të pamundësohej depërtimi i forcave okupatore serbe në brendi të fshatit, sepse në mbrojtje të luftëtarëve të lirisë, qëndronin rreth dy mijë banorë. Njësitet e Brigadës 162 “Agim Bajrami” zhvilluan luftë të rreptë dhe të lavdishme. Armiku pësoi humbje të mëdha në njerëz dhe teknikë luftarake. Në radhët e forcave të UÇK-së të Brigadës 162 “Agim Bajrami” ranë për mos vdekur kurrë këta dëshmorë : Murat Lika, në mes fshatit Ivajë dhe fshatit Strazhë, te vendi i quajtur “Liqe” me bashkëluftëtarët : Osman Luma Qani Luma dhe Raif Koraqi. Humbja e këtyre ushtarëve pikëlloi tërë popullatën liridashëse t Kaçanikut me rrethinë, veçanërisht luftëtarët e Brigadës, 162 “Agim Bajrami”, duke marrë obligim edhe një herë që lufta të vazhdohej deri në fitore.
Po këtë ditë plagosen: Adem Kolshi, Halil Kuka, Muhamet Malsiu, Feriz Deda, Hafir Luma, Izjadin Luma, Xhelal Lika, Veton Krasniqi dhe Shefki Terziu.
Bashkëluftëtarët e dëshmorit në këtë vij të frontit kanë qenë : Sherif Lika, Afir Luma, Ilaz Ceka, Ejup Runjeva, Xhelal Lika, Ferat Malsiu dhe Rrustem Gudaqi.
Gjatë granatimeve dhe sulmeve armike u shkatërruan shumë shtëpi, shkolla dhe xhamia e fshatit, ndërsa nuk u kursyen edhe kafshët. Murat Lika, ra heroikisht, më 8 mars të vitit 1999, në Betejen e Ivajes të Kaçanikut, në përballje frontale kundër forcave pushtuese serbe. Në kohën e rënies ishte pjesëtar i Kompanisë së Bataljonit të Tretë të Brigadës 162 “Agim Bajrami” të Zonës Operative të Neredimes.
Familja e tij atdhetare e liridashëse, e cila priti e përcolli natën e ditën luftëtarë të lirisë, Muratin, ja fali lirisë së Kosovës. Për shkak të luftimeve të ashpra në territorin e Kaçanikut varrimi i këtij dëshmori u bë me 12. 3.1999 në Ferizaj në prani të familjes dhe të afërmve të tij.
Pas mbarimit të luftës, trupin e dëshmorit Murat Lika, bashkëluftëtarët e zhvarrosin nga varrezat në Ferizaj, dhe me 10 korrik 1999, me nderime ushtarake e varrosin në Varrezat e Dëshmorëve të Kaçanikut, “Te Dardha”. Varrimin e organizoi Këshilli Organizativ dhe Komanda e Brigadës 162 Agim Bajrami.
Murati ka qenë i martuar me Havushe Shorrën nga Biqeci. Pas vetes ka lënë babë Xhemajlin, nënë Mejremen, vëllezërit: Mustafën, Emrushin, Nejazin, Garipin, si dhe motrat: Nafijen, Zeratafeten dhe Zebiben. Në lapidarin e ngritur në Ivajë, aty ku zhvillua beteja, më 8 mars 1999, i cili ruan kujtimet për një luftë të ashpër në këtë vend dhe ku ranë trimat e lirisë, në pllakën përkujtimore janë skalitur emrat e dëshmorëve: Murat Lika, Qani Luma, Osman Luma dhe Raif Koraqi. Bashkëluftëtarët në nderim dhe respekt për dëshmorët kanë ngritur bustin “Te Guri i Zi”. Familja Lika ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Shtabi i Zonës, nga Shtabi i Brigadës dhe nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Kosovës. Për veprën e dëshmorit ka shkruar Hajrush Kurtaj në librin “Shungullon Gryka e Kaçanikut” (Dëshmorët e Kombit), si dhe shkrime të tjera në shtypin ditor dhe javor të vendit. (H.K.)

Kontrolloni gjithashtu

Elez Ramë Geci (11.2.1951 - 28.3.1999)

Elez Ramë Geci (11.2.1951 – 28.3.1999)

Elez Ramë Geci lindi më 11 shkurt të vitit 1951. Babai i tij, Rama i …