Kryetari i komunës së Vitisë z. Sokol Haliti përmes një postimi në facebook ka shkruar se UÇK-ja ishte dhe mbetet pjesë e historisë sonë të përbashkët, themeli mbi të cilin u ngrit shteti ynë i lirë.
“Ndërsa qytetarë nga mbarë vendi dhe diaspora bashkohen në mbështetje të ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndjej detyrimin moral dhe njerëzor të shpreh respektin dhe mirënjohjen më të thellë për sakrificën e tyre sublime për lirinë që gëzojmë sot.
UÇK-ja ishte dhe mbetet pjesë e historisë sonë të përbashkët, themeli mbi të cilin u ngrit shteti ynë i lirë. Ajo sakrificë e shenjtë meriton dinjitet, drejtësi dhe kujdes të përhershëm institucional. Çdo qytetar që ngre zërin për të kërkuar respekt për këtë vlerë, po mbron shpirtin e Kosovës dhe idealin e saj të lirisë.
E kemi përjetuar atë kohë dhe e ndjejmë ende në shpirt sakrificën e atyre që luftuan për lirinë tonë. Liria është ajo që na bashkon, ajo që na kujton se sa shumë është dhënë për këtë tokë. Respekti për të rënët dhe për veteranët i përket Kombit, historisë sonë dhe brezave që vijnë.
Le të dëgjohet zëri i dinjitetit, i unitetit dhe i dashurisë për atdheun. Nder e lavdi për të gjithë ata që dhanë gjithçka për Kosovën tonë të lirë e të pavarur”, thuhet në postimin e kryetarit Haliti.