Ushtarët amerikanë të caktuar në Komandën Rajonale Lindje të misionit të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO, kanë zhvilluar patrulla të montuara dhe të çmontuara në disa bashkësi lokale në gjithë territorin e Kosovës. Sipas njoftimit zyrtar, këto patrulla janë pjesë e përpjekjeve për të kontribuar në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit të përgjithshëm në vend. “Përmes këtyre përpjekjeve, KFOR-i përforcon angazhimin e tij për paqe të qëndrueshme, duke siguruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet në të gjithë rajonin,” thuhet në komunikatën e publikuar. Misioni i KFOR-it mbetet i përkushtuar në zbatimin e mandatit të tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999. Ky mandat përfshin sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe të lirë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe garantimin e lirisë së lëvizjes në çdo kohë. KFOR-i thekson se veprimtaritë e tij kryhen në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për sundimin e ligjit, në përputhje me përgjegjësitë dhe rolet përkatëse të secilit institucion të sigurisë.
