Valon Murati, ish-kryetar i Lëvizjes për Bashkim, ka deklaruar se nëse shqiptarët e Luginës së Preshevës bashkohen me Kosovën, atëherë nuk mund të mohohet e njëjta e drejtë për serbët në veri të Kosovës që të kërkojnë bashkim me Serbinë. Murati theksoi se në një situatë të tillë, parimi i vazhdimësisë territoriale dhe shumicës etnike duhet të vlejë njësoj për të gjitha palët. “Nëse në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë kërkojmë bashkim me Kosovën, atëherë në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, ku serbët janë shumicë dhe kanë vazhdimësi territoriale me Serbinë, do të duhej të zhvillohej i njëjti parim,” u shpreh Murati. Ai rikujtoi argumentin historik të shqiptarëve për shkëputje nga Jugosllavia, të bazuar në idenë e një territori të pandashëm dhe homogjen shqiptar, që përfshin Preshevën, Kosovën, shqiptarët në Maqedoni dhe deri në jug të Shqipërisë. “Nëse ne e kemi kërkuar bashkimin dhe pavarësinë mbi këtë bazë, nuk mund t’ua mohojmë të njëjtin parim edhe të tjerëve,” theksoi Murati, duke shtuar se parimet duhet të jenë universale dhe të vlefshme për të gjitha komunitetet.
