Kreu i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka deklaruar se ideja e shkëmbimit apo ri përcaktimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë mund të rikthehet në tryezën e dialogut. Murati është shprehur se ky është opsioni i vetëm politik që, sipas tij, mund të sjellë një zgjidhje të qëndrueshme ndërmjet dy vendeve. “Ne konsiderojmë që ri përcaktimi i kufijve është zgjidhja e vetme politike që e zgjidh problemin Kosovë–Serbi,” u shpreh Murati. Ai gjithashtu kritikoi qasjen e institucioneve të Kosovës ndaj dialogut, duke thënë se është bërë një vonesë e madhe në përfshirjen serioze në procesin e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. “Asnjë zgjidhje nuk është e lehtë. Ne jemi vonuar në bisedime shumë, duke mos i marrë seriozisht,” theksoi ai. Deklaratat e Muratit rikthejnë në vëmendje një temë të ndjeshme që ka shkaktuar debat të madh publik dhe politik në të kaluarën.
