Sot në fshatin Krojmir, është vendosur gurthemeli i Muzeut të Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një projekt me rëndësi të veçantë për ruajtjen e kujtesës historike dhe nderimin e sakrificës për liri.
Kryetari i Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti, theksoi se ky muze do të jetë një hapësirë e përkushtuar për të vërtetën historike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe do të shërbejë për edukimin e brezave të rinj.
“Sot me plot krenari e mirënjohje, po vendosim gurthemelin e Muzeut të Veteranëve të UÇK-së në Krojmir. Ky objekt i dedikohet vlerave dhe sakrificës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe do të shërbejë si muze për veteranët dhe invalidët e luftës, një hapësirë për ruajtjen dhe përkujdesjen ndaj kujtesës sonë historike”, tha kryetari z. Imri Ahmeti.
Ai shtoi se kemi një detyrim moral dhe institucional që lufta për çlirimin e vendit dhe përpjekjet e bijve e bijave më të mira të këtij vendi të memorohen dhe të dokumentohen, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra konkrete.
Në përfundim të fjalës së tij, kryetari Ahmeti shprehu respekt për veteranët dhe invalidët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Lavdi dëshmorëve të kombit!
Ky projekt është një shprehje e përkushtimit institucional për të nderuar të kaluarën dhe për të ruajtur kujtesën historike.