Moskoordinimi me aleatët ndërkombëtarë dhe qasja kokëfortë e kryeministrit në ikje, Albin Kurti, çuan Bashkimin Evropian në vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023, pas përshkallëzimit të situatës në veri të vendit. Vendimi u mor nga Këshilli i Bashkimit Evropian, i cili e kushtëzoi heqjen e masave me progres konkret në de-eskalimin e tensioneve dhe përmbushjen e kushteve të përcaktuara nga BE-ja. Asokohe, zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, kishte theksuar se masat nuk ishin sanksione klasike, por masa politike të përkohshme dhe të kthyeshme, të vendosura si reagim ndaj hapave që çuan në eskalim. Si pasojë direkte e këtyre veprimeve të pakoordinuara, Qeveria e Kosovës i pezulloi vendit projekte në vlerë rreth 613.4 milionë euro, duke shkaktuar humbje të rënda financiare dhe krisje serioze në marrëdhëniet Kosovë–BE. Një tjetër goditje për Kosovën ishte përjashtimi nga përfitimet e Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Ndërsa Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia përfituan nga pakoja prej 87.7 milionë eurosh për investime në energji të pastër, Kosova mbeti jashtë, duke u përballur sot edhe me rritje të çmimit të energjisë, që po rëndon drejtpërdrejt mbi qytetarët. Dy vjet pas miratimit të Planit të Rritjes, Kosova dhe Bosnja mbetën të vetmet vende në rajon që nuk përfituan asnjë cent nga fondet evropiane. Sipas të dhënave të Komisionit Evropian, arsyeja kryesore për Kosovën ishte bllokada e brendshme politike, e cila pamundësoi ratifikimin e marrëveshjeve për Fondin dhe Huadhënien Reformuese në Kuvend. Shpërndarja e fondeve të para të BE-së për vendet e rajonit ishte si vijon:
-
Shqipëria: 164 milionë euro
-
Serbia: 111 milionë euro
-
Maqedonia e Veriut: 76 milionë euro
-
Mali i Zi: 45 milionë euro
-
Kosova: 0 euro
-
Bosnja: 0 euro
Raporti nënvizon se Kosova nuk përfitoi asnjë fond për shkak të krizës së brendshme politike, duke e lënë ekonominë e vendit pa mbështetje evropiane dhe duke i shtuar edhe një tjetër goditje zhvillimit ekonomik dhe perspektivës evropiane të vendit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
