Protesta e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kundër vizitës së kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, ka përshkallëzuar sot ku ajo pritej të mbante një konferencë për shtyp. Veteranët ia kanë zënë derën hyrëse të hotelit dhe kanë hedhur tymuese në drejtim të saj, duke shprehur pakënaqësi dhe kundërshtim të ashpër ndaj prezencës së Trendafilovës në Kosovë. Policia është përfshirë në menaxhimin e situatës dhe në një moment ka kthyer mjetet tymuese drejt protestuesve për të shpërndarë turmën. Protestuesit kanë brohoritur vazhdimisht thirrje si “UÇK, UÇK”, duke theksuar simbolikën e qëndresës dhe luftës për liri, teksa kundërshtojnë praninë e përfaqësueses së Gjykatës Speciale në vend. Pas presionit dhe situatës së krijuar, konferenca e paralajmëruar është anuluar. Këtë e konfirmoi Hysni Gucati, një prej organizatorëve të protestës, duke u bazuar në bisedën që kishte me një epror të policisë. Trendafilova e ka anuluar takimin dhe nuk ka konferencë për shtyp, deklaroi Gucati për mediat, duke shtuar se ekziston mundësia që ajo të mos ketë qenë fare brenda hotelit në momentin e protestës. Veteranët e UÇK-së e kanë quajtur të papranueshme vizitën e Trendafilovës, duke e konsideruar atë një provokim ndaj sakrificës dhe luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.
