Protesta e radhës në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të mbahet më 16 nëntor, në ora 13:00, para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg, Francë. Kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati, konfirmoi se interesimi për këtë protestë është jashtëzakonisht i madh, si nga qytetarët në Kosovë ashtu edhe nga mërgata. Ka shumë kërkesa dhe besoj se një numër i madh do të udhëtojë drejt Francës për protestë,” tha Gucati. Ai theksoi se protesta nuk organizohet për mbrojtjen e individëve, por për të kundërshtuar atë që veteranët e quajnë “gjykim të padrejtë ndaj luftës çlirimtare dhe krerëve të shtetit të Kosovës.” “Ne nuk po protestojmë vetëm pse dënohet Hashim Thaçi, por sepse aty po gjykohet Lufta e UÇK-së dhe udhëheqësit e saj. Qëllimi ynë është t’i tregojmë ndërkombëtarëve se kjo Gjykatë është e njëanshme,” shtoi ai. Protestat e veteranëve do të mbeten paqësore dhe simbolike, si formë e rezistencës qytetare për të mbrojtur dinjitetin e luftës çlirimtare dhe për të kërkuar trajtim të drejtë nga drejtësia ndërkombëtare. Protesta e 16 nëntorit pritet të bashkojë pjesëmarrës nga Kosova, diaspora dhe mbështetës ndërkombëtarë të UÇK-së, duke u konsideruar si një nga tubimet më të mëdha të këtij lloji në mbështetje të ish-krerëve të akuzuar në Hagë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
