Analisti politik Visar Ymeri ka vlerësuar se Shqipëria është në rrugë të mirë për t’u pozicionuar si shteti më i rëndësishëm në Ballkan, duke marrë një rol strategjik që dikur i takonte Beogradit. Ymeri theksoi se kjo ngritje e Shqipërisë si faktor kyç rajonal është veçanërisht evidente në fushën e sigurisë, falë rolit të saj në kuadër të NATO-s. Ai përmendi ndërtimin e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë si një zhvillim të rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për gjithë rajonin, përfshirë Kosovën. Sipas tij, Shqipëria po shndërrohet në vendin më të rëndësishëm të rajonit. Ajo që dikur konsiderohej si qendra e Ballkanit, Beogradi, tani po zëvendësohet nga Shqipëria në shumë aspekte, veçanërisht në fushën e sigurisë. Kjo është një e mirë edhe për Kosovën, pasi rrit stabilitetin rajonal në një kohë kur Serbia vazhdon të jetë një rrezik potencial, tha Ymeri. Ai shtoi se ata që nuk e pranojnë këtë realitet për shkak të qëndrimeve personale ndaj kryeministrit Edi Rama, po bëjnë një gabim të madh strategjik. “Zhvillimi i Shqipërisë është në dobi të gjithë shqiptarëve dhe sidomos i Kosovës,” përfundoi Ymeri.
