Vitia dhe Saint-Julien-en-Genevois nënshkruan marrëveshje binjakëzimi

Komuna e Vitisë dhe Komuna e Saint-Julien-en-Genevois kanë zyrtarizuar sot marrëveshjen e binjakëzimit, duke hapur një kapitull të ri bashkëpunimi dhe miqësie ndërmjet dy komunave dhe qytetarëve të tyre.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ishte i pranishëm edhe zëvendës ambasadori i Francës në Kosovë, Marc Ivarra. Marrëveshja u nënshkrua nga Julien Chevalier, zëvendëskryetar i Komunës së Saint-Julien-en-Genevois dhe përgjegjës për sportin, shëndetin dhe jetën asociative, si dhe nga Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti.

Përmes kësaj marrëveshjeje, të dy komunat shprehën vullnetin e përbashkët për forcimin e lidhjeve institucionale, zhvillimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme të miqësisë ndërmjet dy komunave.

Zëvendësambasadori i Francës, z. Marc Ivarra, u shpreh i kënaqur me këtë binjakëzim, duke theksuar gatishmërinë e përfaqësisë franceze për të mbështetur dhe ndihmuar bashkëpunimin ndërmjet dy komunave.

Kryetari i Komunës së Vitisë, z. Sokol Haliti, theksoi se janë identifikuar shumë fusha konkrete bashkëpunimi me komunën e Saint-Julien-en-Genevois, duke e cilësuar këtë të fundit si një model të mirë të qeverisjes lokale. Ai vuri në pah edhe rolin e rëndësishëm të mërgatës nga Vitia që jeton në këtë komunë, si urë lidhëse mes dy vendeve, si dhe ftoi investitorët francezë që të investojnë në komunën e Vitisë, duke garantuar mbështetje dhe hapje të plotë institucionale.

Nga ana e tij, zëvendëskryetari i Saint-Julien-en-Genevois, z. Julien Chevalier, falënderoi udhëheqjen komunale të Vitisë për mikpritjen, duke theksuar se në këtë komunë jeton një numër i konsiderueshëm qytetarësh nga Kosova, përkatësisht nga Vitia, të cilët si pjesë e diasporës janë të respektuar dhe të integruar në shoqërinë franceze.

Sipas marrëveshjes, binjakëzimi synon nxitjen e shkëmbimeve dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në disa fusha kyçe, përfshirë sportin, përmes shkëmbimit të praktikave dhe organizimit të aktiviteteve të përbashkëta. Kulturën, me ekspozita, festivale dhe iniciativa artistike. Arsimin dhe gjuhën, përmes programeve të shkëmbimit dhe bashkëpunimit shkollor. Bujqësinë, me shkëmbim përvojash dhe praktika të qëndrueshme, si dhe ekonominë, përmes nxitjes së bashkëpunimit ndërmjet aktorëve lokalë.

Kjo marrëveshje vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar të komunës së Vitisë, duke krijuar mundësi konkrete për zhvillim lokal, shkëmbim përvojash dhe afrimin e komuniteteve.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Sokol Haliti mbajti takim pune me Bordin e Drejtorëve për prioritetet zhvillimore dhe organizimin e aktiviteteve institucionale

Kryetari i komunës së Vitisë z. Sokol Haliti ka mbajtur të enjtën takim pune me …