Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike e Kosovës, Arian Tahiri, ka njoftuar se ka vizituar në paraburgim në Hagë ish-krerët e partisë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, të cilët po mbahen në paraburgimin e Dhomat e Specializuara të Kosovës. Tahiri e përshkroi hyrjen në ambientet e paraburgimit si një moment të rëndë dhe plot emocione. “Çdo hap drejt atij takimi të kujton sakrificën dhe historinë që këta burra mbartin. Pata nderin të takoj Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryetarin Kadri Veseli, dy figura që në momentet më të vështira qëndruan në ballë të rrugëtimit tonë për liri. T’i shohësh sot prapa mureve të burgut, larg familjeve dhe vendit për të cilin sakrifikuan gjithçka, të prek thellë në shpirt”, ka shkruar Tahiri. Ai theksoi se, pavarësisht rrethanave në të cilat ndodhen, Thaçi dhe Veseli vazhdojnë të ruajnë dinjitetin dhe besimin në të vërtetën. “Megjithatë, edhe në këto rrethana, qëndrimi, dinjiteti dhe besimi i tyre në të vërtetën mbetet i pathyeshëm. Historia e Kosovës është e lidhur ngushtë me sakrificën e tyre dhe të shumë të tjerëve. Me respekt të veçantë kujtoj edhe Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të cilët po ashtu po përballen me këtë padrejtësi larg familjeve dhe atdheut. Kosova nuk harron. E vërteta dhe drejtësia do të dalin në dritë”, ka shkruar Tahiri.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
