Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili ka mohuar ekzistencën e një krize institucionale në vend. Çitaku, përmes një postimi, ka theksuar se sipas Kurtit nuk ka as krizë institucionale, as politike, por as ekonomike – pavarësisht situatës aktuale në Kosovë. “S’ka krizë institucionale paska thënë Albin Kurti. Ndërkohë, zgjedhjet kanë përfunduar para më shumë se tre muajsh, dhe Kosova është ende pa Kuvend funksional dhe pa Qeveri legjitime. Për Albinin nuk ka krizë, as institucionale, as politike. Ashtu siç nuk sheh krizë ekonomike, nuk sheh as rritje të çmimit të energjisë, e as të kostos së jetesës. Shkurt e shqip, gjithçka në rregull paska thënë ai”, ka shkruar ajo. Çitaku e ka konsideruar këtë qasje të qeverisë në ikje si të shkëputur nga realiteti, duke e akuzuar Kurtin për mungesë të ndjeshmërisë ndaj sfidave të qytetarëve të Kosovës.
