Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar me tone të ashpra ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar atë se me vetëdije po ndihmon Prokurorinë e Hagës kundër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Çitaku ka dënuar deklaratat e Kurtit, i cili në një intervistë në Tëvë 1 tha se PDK-ja ende konsultohet me Thaçin e Veselin, të cilët po gjykohen në Hagë, duke i përshkruar këto vizita si “marrje instruksionesh politike”. Sipas saj, kjo është një përpjekje e qëllimshme për diskreditimin e atyre që kanë kontribuar për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. “Nuk është as politikë, as rastësi. Është qëllim i pastër,” shkroi Çitaku. Ajo akuzoi Kurtin për përçmim ndaj vlerave të miqësisë dhe për mungesë të lidhjeve njerëzore: “Nuk ka as edhe një mik të vetëm”. Duke e cilësuar qeverisjen e tij si autoritare, Çitaku tha se Kurti sundon partinë e tij duke përjashtuar çdo mendim ndryshe, ndërsa në PDK, sipas saj, ekziston mendimi kritik dhe demokracia e brendshme. Në përgjigje të deklaratës së Kurtit se PDK-ja nuk ka udhëheqës të qartë, Çitaku theksoi se “kryetar e kemi Memli Krasniqin”, duke e vlerësuar atë si lider legjitim dhe të respektuar. “Ti vazhdo qaj e vajto, se për rezultate nuk ke çka flet,” përfundoi ajo reagimin, duke e sfiduar Kurtin për mungesën e arritjeve konkrete gjatë qeverisjes së tij.
