Wade Goddard, dëshmitar i dhimbjes dhe heroizmit: Fotot që rrëfejnë çmimin e lirisë së Kosovës

Mëngjesi i 26 shtatorit 1998 në fshatin Abri e Poshtme mbetet një ndër kujtimet më të errëta për fotoreporterin ndërkombëtar, Wade Goddard. Me objektivin e tij ai dokumentoi një nga masakrat më të rënda të luftës në Kosovë, ku u vranë barbarisht 25 anëtarë të një familjeje shqiptare. Ajo çfarë ai pa aty – trupa të pajetë, fëmijë të vrarë dhe familje të shkatërruara – do të mbetej thellë e gdhendur në kujtesën e tij. “Një djalë po shikonte trupat e familjarëve të tij. U afrova, vendosa duart në kokë, nuk dija si të reagoj. Ishte tronditëse,” kujton Goddard. Në fillim të vitit 1998, Goddard kishte ardhur në Kosovë bashkë me gazetarin e New York Times, Chris Hedges. Aty pati mundësinë të takohej me njërin prej figurave më emblemë të luftës për çlirim – komandantin legjendar Adem Jashari. Goddard kujton se Jashari refuzonte të fotografohej, por pas këmbënguljes së tij arriti të shkrepte disa imazhe të trupës së tij të sigurisë, të cilat sot janë dëshmi historike të vlerës së qëndresës. “Ai ishte një njeri i heshtur, me një forcë të jashtëzakonshme dhe vendosmëri të hekurt. Ajo ditë ishte e shkurtër, por e paharrueshme. Ato fotografi nuk ishin vetëm imazhe – ishin dëshmi të një epoke,” rrëfen Goddard. Ai thekson se gjatë gjithë luftës, momentet më të dhimbshme ishin ato ku viktima ishin fëmijë.  Lufta e viteve 1998–1999 la pas vetes mbi 13 mijë civilë shqiptarë të vrarë, mbi 20 mijë të dhunuar seksualisht dhe rreth 1,600 persona ende të pagjetur. Fotot e Wade Goddard nuk janë thjesht dëshmi vizuale, por dokumente të gjalla të krimeve, rezistencës dhe triumfit të një populli që luftoi për liri. Në Ditën e Lirisë, kujtimi i sakrificës dhe i dëshmitarëve si Wade Goddard bëhet edhe më domethënës – sepse pa ata që rrezikuan gjithçka për të treguar të vërtetën, bota do të dinte shumë më pak për dhimbjen dhe trimërinë e Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve organizon sot tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike

KQZ njofton afatet për votimin jashtë vendit në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka shpallur periudhën për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për të …