Zëdhënësi i NATO-s, gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1999, Xhejmi Shia, është shprehur i bindur se admirali Stjuart Manç, i ka dërguar mesazhet e duhura kryetarit serb, Aleksandar Vuçiq, për rëndësinë e veprimeve për qetësi dhe për shtendosjen e situatës në veri të Kosovës. Ai dha sqarime të mëtejme se deri në çfarë periudhe KFOR-i, mund të shqyrtojë kërkesa të tilla, sikur ishte kërkesa e Beogradit për kthimin e forcave serbe në Kosovë. I takon KFOR-it të përcaktojë se çfarë dhe kur t’i përgjigjet kërkesës së Beogradit, por jam i bindur se autoritetet serbe me kohë e kanë ditur përgjigjen, edhe para se të formulohej e të dorëzohej kërkesa. Kreu i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s, Napoli, përgjegjës për Kosovën, Stjuart Manç, ishte në Beograd të hënën për të folur me kryetarin Vuçiq, kështu që jam i bindur se janë dërguar mesazhet e duhura në lidhje me nevojën për të punuar për qetësi dhe shtendosje, deklaroi ai. Xhejmi Shia thotë se KFOR-i është përgjegjës për sigurinë në të tërë Kosovën e jo vetëm për Veriun dhe ka autoritetin të përcaktojë nëse ka nevojë për ndihmë nga palët e jashtme.
