Xhemil Zeqiri: Kur frikacakët himizohen dhe konsiderohen heronj

”Më e mirë është një humbje heroike sesa një kompromis i turpshëm”.  (Nikolla Makiaveli).

 

-Kjo thënie gjeniale u shkon më së miri politikanëve shqiptarë të frymëzuar nga ideologjia titiste. Vitet e fundit (Arbën Xhaferi ishte gjallë), në Shqipërinë londineze mbizotëronte një gjendje e palakmueshme.

Edi Rama do të shprehej: “O Arbën Xhaferi, eja e bëju shtetas i Shqipërisë dhe do të të bëjmë president”!!!

Ndërkaq, pas vdekjes së tij, po e lartësojnë edhe më lartë, saqë duke i parë e dëgjuar këto marrëzira politike, jam i shtrënguar të dal hapur me një qëndrim të pastër. Me fjalë të tjera, dua t’i njoftoj lexuesit se kush ishte në të vërtetë, i ndjeri Arbën Xhaferi.

S’po shkruaj dot biografi për të, por grosso modo (në vija të shkurtra) do të paraqes ca elemente të biografisë së tij. E shoh të nevojshme për ta bërë një gjë të tillë, për arsye se në këto mjegullnaja të amullisë politike “demokratike”, titistët, përkatësisht antishqiptarët po rehabilitohen me të madhe, ndërsa në anën tjetër, po bëhen përpjekje që të lihen në harresë atdhetarët e mirëfilltë të popullit, duke e shpërfillur dhe duke e injoruar plotësisht veprimtarinë patriotike shumëvjeçare të tyre.

Në Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë ka pasur burra (të tillë ka dhe sot) të cilët kanë dhënë çdo gjë për çështjen kombëtare. Janë ata që vërtet i kanë dhënë grushte të forta Jugosllavisë titiste, në përgjithësi, e në veçanti – Maqedonisë pushtuese.

Atdhetarët e mëdhenj të historisë sonë të lavdishme, të cilët, për breznitë e reja e trasuan rrugën e qëndresës përballë shovinistëve titistë dhe pas-titistë ishin heronjtë si: Mehmet Gega dhe Zaim Beqiri – tanimë të ndjerë. Mediumet dhe analistët primitivë dhe servilë të klaneve titiste, gjer në ditët tona, qëllimisht dhe me tendenca të theksuara, por tejet perfide, po i harrojnë edhe heronjtë e gjallë siç janë: Rafi Halili, Shpëtim Pollozhani, Elmaz Ademi, analisti, pedagogu dhe veterani i arsimit dhe i publicistikës sonë, Beqir Berisha, e shumë të tjerë.

Harrohen mbi të gjitha për faktin se, nga këta analistë titistë shkretanë, heronjtë e gjallë dhe të vdekur, quhen enveristë, duke e mbuluar njëherazi të vërtetën se këta dishepuj të shqiptarisë, politikën diskriminuese titiste, e kanë kundërshtuar me guxim. Sipas logjikës verbuese të pseudoanalistëve të lartpërmendur, këta atdhetarë të popullit shqiptar duhet me çdo kusht të anatemohen, sepse rezistenca dhe veprimtaria e tyre është ndërmarrë në një kohë kur këta “analistë të hollë” kanë qenë në shërbim të politikës antishqiptare të Jugosllavisë titiste. Kuazi opinionbërësve të sotëm, as që u ka shkuar ndërmend atëbotë për ta parashikuar fundin e tmerrshëm dhe të turpshëm të ish-shtetit shumë të dashur të tyre…

Qëndresa heroike dhe veprimtaria patriotike e pakursyer e bijve më të shtrenjtë të këtij populli kundër pushtuesve serbosllavë dhe sllavo-maqedonas, kanë lënë gjurmë të pashlyera në historinë e kombit shqiptar, ndërkaq sakrifica dhe martirizimi i tyre jetojnë të gjalla në kujtesën e këtij populli.

Në anën tjetër, titistin me damkë – Arbën Xhaferin, për ta popullarizuar, nuk lënë gur pa lëvizur. Përse vallë?! Për arsye se atë e kishin dhe e kanë mësues të “edukatës fizike” alias politike. Me një fjalë, ai ishte idoli i tyre. Çfarë ironie?!

Shih, duke u orvatur që prej kundërheroit, të krijojnë si me magji “heroin e sakrificave të mëdha” për kombin shqiptar!!!

Edhe pas vdekjes së tij, për të po shkruajnë libra, po emërtohen emra rrugësh si ajo e autostradës Prishtinë-Shkup. Kjo bëhet me qëllime të caktuara, d.m.th. me një gur të vrasin dy zogj: “Të rehabilitohen elementët titistë, (duke e rehabilituar njërin nga më kryesorët) dhe populli të ketë frikë, po nga titistët…”

Ne, fort mirë i njohim veprimtarët e kauzës kombëtare. Po kaq mirë e dimë se kush ishte Arbëni. Në demonstratat e vitit 1968 në Maqedoni, policia titiste jugosllave, UDB-ja dhe bashkëpunëtorët e saj, arrestuan grupin ilegal shqiptar të përbërë prej 17 vetëve, në krye me Mehmet Gegën. Të gjithë u dënuan, përpos vëllezërve Arbën dhe Agim Xhaferi, të cilët shpëtuan pa u dënuar!!!

Si është e mundur?! Arbni iku nga Tetova dhe vajti në Prishtinë. Atje hyri në ”ilegalitet” si drejtor i TV-Prishtinës dhe si aktivist i LKJ-së. Si i besueshmi i kësaj partie titiste, ai themeloi edhe Këshillin famëkeq për diferencime politike. Ata që kanë qenë në këtë institucion informativ dhe kulturor, e dinë mirë veprimtarinë kundër-shqiptare të Arbën Xhaferit. E dinë shumë mirë se ai ka qenë shërbëtor i huaj, pra në shërbim të huaj.

Kur Serbia e suprimoi Kushtetutën e vitit 1989, e zaptoi midis tjerash edhe TV-Prishtinën. Shumë shqiptarë në këtë kohë, mbetën pa punë. Njëri nga ata qe edhe Arbni. Ky ishte një filozof i padiplomuar, por në fakt ishte një mjeshtër dinak i penës. Si i tillë, filloi të merrej me shkrime. Dorën në zemër, kishte shkrime të fuqishme dhe ato i botonte në gazetat e ish-titistëve.

Mirëpo, populli ynë thotë: ”Nga e thëna në të bërë, në mes është një det i tërë”.

Atëbotë, shumë shqiptarë mendonin se Arbni ka ndërruar qëndrim, pasi amalgama jugosllave kishte dhënë shpirt, ndërkaq titizmi dhe agjenturat e Beogradit perënduan bashkë me utopinë AVNOJ-iste.

Por, tani shtrohet pyetja: A u varrosën me të vërtetë titistët?!

Arbni iku nga Prishtina dhe u kthye sërish në Tetovë. Hiqej si ”shpëtimtar i kombit”. Fitoi përkrahje, sepse përdorte një diskurs dhe një fjalor nacionalist. Kishte shumë që thonin: “Ja, tash na erdhi njeriu i duhur, në momentin e duhur”!!!

 

Titistët e themeluan Partinë për Prosperitet Demokratik (PPD). Kjo parti, LDK-ja e Ibrahim Rugovës dhe ajo e Shqipërisë londineze – e ashtuquajtura PD e Sali Berishës, e njohën Maqedoninë si shtet, pa kurrfarë kushtesh për shqiptarët.

E njohën pra këtë republikë armike jugosllave, të krijuar më 1943 nga titistët antishqiptarë, si një republikë eksperimentale, nga ku, zbatuesit e Elaboratit të Vaso Çubrilloviqit i deportimin shqiptarët për në Turqi, në bazë të një marrëveshjeje ndërmjet Beogradit dhe Ankarasë, të nënshkruar pas Luftës së Parë Botërore.

Kur PDSH-ja e Arbnit ishte në opozitë, udhëheqësit e kësaj partie ishin “shqiptarë të mëdhenj”, luftonin për Universitetin e Tetovës… Por, sapo u futën në qeveri, problemin shqiptar filluan ta shohin me syze franceze dhe angleze (z. Xhaferi, papritur u bë një z. Xhaferson). Po kështu, duke shkuar pas prijësit të tyre, u konvertuan edhe xhafer-sonët, sejmenët dhe besnikët e tij shqipfolës.

 

Xhafoja & Co, e harruan Universitetin e Tetovës. Kokulur dhe në mënyrë djallëzore, e pranuan shkollën private – ”Kolegjin e Shtulit”.

Si opozitë, këta zotërinj ishin të varfër, madje nuk kishin mundësi t’i paguanin as zyrat dhe telefonat e zyrave. Mirëpo, sa u futën në qeveri, me votën dhe me djersën e popullit u pasuruan dhe shumë shpejt e harruan problemin shqiptar, e harruan programin e partisë, i harruan të gjitha ato “mrekullira” që patën premtuar para elektoratit.

Lufta në Kosovë e viti 1999, këta zotërinj, brenda natës i bëri milionerë.

Populli shqiptar i shtypur në Maqedoni, luftën në Kosovë e shihte si një dritë lirie dhe pikërisht për këtë, në ato troje u mobilizua fort për të mbledhur ndihma. Veprimtari Zaim Beqiri tregonte sesi, bashkë me përfaqësuesin e Shoqatës së të burgosurve dhe të të përndjekurve politikë – Xhevat Ademin i kishin kërkuar Xhaferit që, duke qenë lider i partisë në pushtet, të merrte përsipër dhe të dilte haptas në ndihmë të luftës në Kosovë. Zaimi i njoftonte shokët e Shtabit UÇK-së: “Unë me gruan dhe familjen time jemi në gatishmëri të plotë, jemi në shërbim të luftës, por për të pasur sukses aksioni ynë në popull, duhet që qeveritarët të marrin përsipër detyrimet që i imponon çasti historik”!

-Me një fjalë, i kërkuan kreut të PDSH-së të bënte një gjë të tillë dhe kjo ishte e mirëseardhur për ta.

Kreu i kësaj partie, këtë punë e kreu, por a u dërguan të gjitha ndihmat që i dha populli për çlirimin e Kosovës, kjo mbetet një çështje e diskutueshme?!

Është për t’u habitur sesi deri më sot nuk kemi parë as dëgjuar për ndonjë raport lidhur me mjetet e grumbulluara?! Akoma më tragjik është fakti me Stankovecin famëkeq. Sa përfituan Arbni & Co. nga tragjedia e kufirit, që herë mbyllej dhe herë hapej, me ç’rast refugjatët e stërlodhur jepnin mijëra euro për të shpëtuar anëtarët e familjeve të tyre nga ferri i policisë maqedonase në Stankovec dhe Bllacë. Ndërsa, ata që nuk kishin euro e dollarë vuanin të zitë e ullirit. Dihet botërisht se policia maqedonase në atë kohë, si përbuzje ndaj shqiptarëve, hynte në kampet e sipërthëna të përqendrimit me maska në gojë e hundë. Ishin skena të tmerrshme. Qëndrimet politike të qeverisë maqedonase dhe të PDSH-së si partnere e koalicionit – ndaj luftës në Kosovë, ishin më se të qarta.

Me Arbnin, personalisht, kam pasur disa mospajtime dhe këtë ia kam thënë troç. Këtu do të përmend tre raste:

Arbnin dhe Shaip Emërllahun i ftova personalisht në Danimarkë dhe i mundësova këtij të parit, që si kryetar i PDSH-së, veprimtarinë e vet politike ta prezantojë dhe ta afirmojë në mjetet daneze të informimit.

Në një takim tonin të mbyllur ishte prezent edhe një gjeneral danez, i veshur me rroba civile. Ai, pasi dëgjoi ligjëratën dhe pikëpamjet politike të Arbnit, ia ktheu: ”…po ç` prisni atëherë, pas kësaj situate kaq të rëndë që shpjeguat….”?!

Kur dolëm jashtë, Arbni më tha: “Këta preferojnë luftë”! Ndërkaq, unë ia ktheva: “Ju jeni atje. Jeni edhe përfaqësues i popullit – në opozitë, ndaj punët i dini më mirë. Por, nuk duhet harruar se, kur pushtuesit nuk e kuptojnë gjuhën e demokracisë, atëherë lufta imponohet si imperativ i castit historik. Pra, mirë e kishte gjenerali”!…

Në mbrëmje u tubua një numër i madh shqiptarësh. Pas debateve të shumta, iu drejtova Arbnit: “Arbën, në një dasmë kam pasur rastin ta takoj Mehmet Reshatin nga fshati Gllogjë. Më la përshtypje mirë, ngase ishte njohës i shquar i zhvillimeve politike. Ishte dhe ekonomist i mirë, ndaj do të ishte mirë që personat e tillë të mos i lëni rrugëve, por t’i angazhoni për të mirën e kauzës sonë të përbashkët”.

-Pasi më dëgjoi, e tundi kokën dhe ma ktheu: “Xhemil Zeqiri, partia jonë nuk merr kuadro që kanë qenë në ish-sistemin e Titos”.

”Më vjen keq – i thashë – por këtyre pikëpamjeve nuk u vjen erë e mirë. Mos harro se edhe ti ke qenë pjesë e sistemit titist. Bile, ke qenë edhe kryetar i Këshillit për diferencime ideopolitike. Ke bërë diferencime. Njerëzit që ti i ke përjashtuar nga puna, nga LKJ, apo edhe nga banesa – i dimë me emra dhe mbiemra. Mehmet Reshati është një kuadër i fortë politik. Është dhe ekonomist i mirë. Po qe se nuk e angazhojnë shqiptarët, atëherë ai do të inkuadrohej në ndonjë ndërmarrje private maqedonase”.

Kuptohet, jam kundër asaj që personat të cilët kanë qenë në shërbim të atij sistemi okupues, tani, me flamuj në duar, të dalin në vijë të parë. Por, nuk është mirë të lihen në rrugë, sepse ne shqiptarët, për nga numri, nuk jemi një popull i madh.

Tani, sërish po i rikthehem rrëfimit tim lidhur me mospajtimet e mia me Arbën Xhaferin. Herën e fundit, me Arbën Xhaferin jam takuar në selinë e PDSH-së në Tetovë, bashkë me të ndjerin, poetin Murtezan Arifi. Pasi debatuam rreth disa temave politike me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar, poeti m´u drejtua me fjalët: “Përpos Arbnit, politikan dhe intelektual tjetër në Maqedoni nuk kemi. I ka disa analiza që rrallëkush i ka bërë”!

“S’ pajtohem dot me konstatimin tënd! – ia ktheva…! Arbni është shumë i rrezikshëm dhe prej tij priten vetëm të këqija për këtë popull. S’ka dyshim se shkrimet i ka të forta, por këto i bën vetëm sa për t´u kamufluar dhe për t’u imponuar. Për çështjen tonë kombëtare, ai duhet të ndërmarrë veprime politike të mirëfillta. Ndryshe, çdo gjë tjetër do të mbetet demagogji. Të mos harrojmë se para gazetarëve, edhe I. Rugova flet me patriotizëm. Madje duke shfaqur ide “tullumbace”, ia doli të mashtrojë jo pak intelektualë dhe një pjesë të popullit. Por, duhet ditur se Rugova dhe Arbni, dritë të gjelbër për të krijuar parti politike kanë marrë prej padronëve sllavë të tyre, e në veçanti prej serbomëdhenjve. Këtyre dyve u lejohet të bëjnë një kritikë të sipërfaqshme të regjimeve të tyre antishqiptare dhe pushtuese, por jo edhe të veprojnë politikisht kundër tyre. Të mos harrojmë se në çastin kur të fillojnë veprimet politike të njëmendta, pra kur të troket ora e historisë, pikëpamjet e tyre do të ndryshojnë. Dhe pikërisht tani do t´i shohim këta ”Mic Sokola”!

Kur hymë në zyrë, pamë se brenda ndodheshin katër vetë. Arbni rrinte krejt inferior. I pajisur me syze, ishte duke shkruar diçka. Menduh Thaçi luante letra në kompjuter, ndërsa Alajdin Demiri përkthente një intervistë të babaxhanit Pjetër Arbnori, dhënë një gazete maqedonase.

U ndjeva i provokuar kur më përshëndeti me mbiemër: “O mirë se ke ardhur z. Zeqiri” !

“Xhemil e kam emrin “– i thashë si me të qeshur! Pasi u përshëndetëm dhe biseduam pak, më pyeti se ç’thonë bashkatdhetarët në Danimarkë dhe a kemi filluar të vetëdijesohemi ne, atje në Evropë?

“Të kujtohet kur ishe në Kopenhagë” – ia preva unë. “Na tregove një barcoletë që na bëri të qeshim me të madhe. Bëhej fjalë për një burrë të fortë, i cili kishte dashur të provonte se sa herë mund të bënte dashuri me gruan e vet. Për të parë se kush ishte më i fortë: burri apo gruaja, një natë i kishin hyrë punës. Dhe sa herë që e bënin, shënonin nga një vizë. Pas një kohe të caktuar, gruaja i tha se kishin bërë 17 herë, ndërsa burri e kundërshtoi, duke i thënë se nuk janë aq, por 16. Meqë nuk mund të merreshin vesh rreth herëve të bëra, burri i thotë: Po mirë, i fshijmë të gjitha dhe ia fillojmë nga e para. Nuk di nëse të kujtohet? Ndodheshim në dhomën e Sabejdin Eshtrefit. Ishim mbi njëzet vetë. Pra, edhe ne veprimtarët shqiptarë të Evropës i fshimë këto 17 parti politike sa jeni. Tani e tutje, do t´i ndihmojmë dhe do t’i mbështesim ata të grykëhollës.”

Ishte duke më dëgjuar. Syzet i kishte në maje të hundës. U nxi i tëri dhe tha: ”Ju atje duhet të keni shumë kujdes, ata janë vegla serbe, ju nuk guxoni t´i përkrahni ata…”!

E shikova Murtezain, qesha me ironi, u ktheva në të majtë dhe i thashë: ”E ke gabim. Ata që janë radhitur në UÇK, janë bijtë më të mirë të kombit shqiptar. Ne kemi vendosur që të çlirohemi nga sundimi sllav, e nëse nuk do t’ia dalim, do t´ia vëmë flakën gjithë Ballkanit. Për këtë jam më se i sigurt”!

I revoltuar dhe i zemëruar, i rashë tavolinës me grusht. “Ikim“ – i thashë Murtezanit. Kur dolëm në rrugë, iu drejtova poetit: ”A u binde se kush është Arbën Xhaferi”?! Dola jashtë i shqetësuar tej mase. Rastin e përjetuar ia tregova pikë e për pe Bacës Beqir, por edhe shumë të tjerëve. Beqir Berisha qeshi me ironi dhe ma ktheu: “Nuk ka gjë prej tyre, ata janë bashkëpunëtorë të sllavëve…”!

Nëse nuk gaboj, ishte muaji korrik i vitit 1996. Pas pak vitesh, UÇK-ja përparonte në terren me aksione guerile. Zhvillimet morën një hov të madh me betejën e Prekazit, ku në krye të detyrës në mbrojtje të atdheut, ra për të mbetur i pavdekshëm komandanti legjendar, Adem Jashari me shumë familjarë të tjerë. Pas kësaj beteje historike, për masakrën në Prekaz pasuan prononcimet e udhëheqësve politikë.

Isha duke i dëgjuar lajmet në TVSH, kur ja po na paraqitet Arbën Xhaferi, i cili me këtë rast deklaroi përafërsisht kështu: “Adem Jashari është komandant legjendar”!!!

“Uuufff, i ndyri”! – bërtita me zë ngase e humba kontrollin, kur m´u kujtua biseda që pata me të në selinë PDSH-së.

“Uuufff, udbashin e dreqit”! E prisha fjalorin. Pranë tavolinës ishim disa shokë – Bekimi, Besimi, Bashkimi dhe do të tjerë. Ata më thanë: “Ç´ke ore, mirë po flet Arbën Xhaferi”!

“Po, po, mirë po flet”! Në vijim ua rrëfeva rastin kur ai, pjesëtarët e UÇK-së i quante vegla serbe dhe vazhdova: “Këta të farës së keqe sllave duan që atdhetarët shqiptarë t’i shohin të vrarë, që pastaj të krekosen dhe t’u thurin elozhe me demagogjinë e sofistikuar, të mësuar në shkollat dhe në kuzhinat bizantine. Po këto shkolla i kanë kryer madje edhe partitë e tyre, të krijuara me bekimin e UDB-së.”

Po qe se analistët, gazetarët apo krijuesit letrarë dhe artistikë duan të kenë njerëz dhe emra të ndritur, do të mundohem t´u ndihmoj. Në këtë shkrim po përmend disa prej tyre që ende janë gjallë – në Tetovë dhe Strugë, në Shkup e Kumanovë, si dhe në rajone të tjera. Ata janë simbole të qëndresës, ngase për çështjen shqiptare dhe për bashkim kombëtar kanë dhënë prova më se njëmij herë. Këta flakadanë të lirisë janë të burgosurit politikë – Rafi Halili, Rahim Neziri, Shpëtim Pollozhani, analisti politik dhe publicisti i njohur Beqir Berisha, Elmaz Ademi dhe shumë veprimtarë të tjerë. Janë ata burra që e lanë Zvicrën si Elmazi, i cili kurrë nuk pushoi së vepruari nëpër fshatra e qytete, duke e ndihmuar luftën. Por, a ka ironi më të madhe dhe diçka më tragjike kur fatet e kësaj lufte dhe politikën e Shtabit të UÇK-së në Tetovë i shtiu në dorë Arbën Xhaferi?!

Lexuesve dua t´ua përkujtoj edhe një fakt: Arbën Xhafersoni kur erdhi nga Kosova në Tetovë, ishte i papunë. Pas një kohe të caktuar, me t’u angazhuar me devotshmëri si politikan besnik i shtetit maqedonas, u shpërblye nga punëdhënësit antishqiptarë dhe për një kohë të shkurtër u bë milioner.

Ishin Arbën Xhaferi, Ymer Ymeri i PPD-së dhe të tjerë si këta, që e bënë Marrëveshjen e Ohrit. Punë skandaloze që ia panë sherrin të gjithë shqiptarët. Sot e kësaj dite Ali Ahmeti, me papërgjegjësi të plotë deklaron me këmbëngulje se “Marrëveshja e Ohrit” po realizohet. Nga kjo rezulton se ai, pa pikë turpi as përgjegjësie politike dhe ushtarake, tanimë e ka pranuar kapitullimin. Ali Ahmeti ishte komandant vetëm si figurë, si një dekor i mjerë, në dramën e historisë sonë tragjike, pas takimit famëkeq në Prizren, kur ndërmjetësues ishte Fatos Nano, nëpërmjet Koço Danajt.

Dhe për fund, qofsha i gabuar për këtë shkrim, në të cilin dëshmova me sinqeritet dhe vërtetësi.

Kopenhagë, më 22 shtator 2014. 

Kontrolloni gjithashtu

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës ka mbajtur protestë në shenjë pakënaqësie ndaj qeverisë

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës ka mbajtur protestë në shenjë pakënaqësie ndaj qeverisë

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës ka mbajtur protestë në shenjë …