Kësaj here, mua “Kusurmadhit”, teksa po pija kafen për qejfin tim, i vetmuar te “Franko-Bari”, më ra një thirrje telefonike nga një numër anonim, të cilin zakonisht nuk e hap, po qe se nuk është nga ata që i kam të skeduar në listën e miqve apo familjarëve të mi. Rënia disa herë e telefonit më bëri kureshtar, sepse mendova se mund të ishte ose ndonjë i njohur që nuk e kam të regjistruar, ose ndonjë person që me siguri kishte diçka për të thënë…
Pasi e hapa, dëgjova zërin e çjerrë të Qani Qopekut, i cili më ftoi për kafe. Por, duke qenë se unë po e pija, e ftova të vinte ai te bari, sepse unë aty isha. Nuk vonoi shumë dhe ai, së bashku me Biken dhe një person të tretë, erdhën dhe u ulën.
Pasi u përshëndetëm dhe u prezantuam, bisedën e hapi i pari vetë Qaniu:
– Dëgjo, Kusurmadh, ti je më i ditur nga ne, se e ke mbaruar universitetin pa shkuar asnjë ditë në leksione, dhe ta marrë vesh edhe ky miku tjetër se sot është zotësi e madhe të marrësh universitet pa ditur se ku ndodhet ai. Por gjithsesi, nuk është ky problemi. Zotnia në fjalë është analist e kritik i politikës aktuale. E quajnë Safi Qelibari dhe, bashkë me Biken, kemi mbi dy orë që po grindemi për revoltat e marsit të ’97-ës, këtu e gati tri dekada më parë në Vlorë. Safiu po vërteton se PD-ja dhe PS-ja janë të dyja parti komuniste që luftojnë kapitalizmin shqiptar.
Të them të drejtën, u habita dhe nuk e lashë më Qopekun të vazhdonte, sepse i njoh pikëpamjet si të Bikes, ashtu edhe të tijat, por direkt iu drejtova Safiut:
– Është e vërtetë kjo që thotë Qopeku, apo nuk ka arritur t’ju kuptojë?
– Po, shumë e vërtetë, – tha ai, – dhe ja pse:
Saliu a ka qenë komunist? Ka qenë, do të më thoni. Pra, ai parimet më themelore të një partie komuniste dhe të socializmit i di fare mirë. Ai i kishte mësuar këto principe nga Enveri dhe teoria marksiste-leniniste. Pra, i njeh të gjitha parimet bazë mbi të cilat ngrihet sistemi kapitalist, që do të thotë se në socializëm duhet të bëhet përmbysja e madhe me kundërrevolucion, që të vendoset kapitalizmi…
– Po, ashtu është, shumë e vërtetë, – i thashë, duke menduar se ku do të dilte Safiu.
– Ja pra, – vazhdoi ai, – Saliu në ’97-ën grumbulloi të gjitha paratë e kapitalistëve shqiptarë që i kishin hedhur ato nëpër firma, sepse kapitali, o ti mik, nuk është vetëm ai ekonomik, por edhe ai financiar. Ç’bëri Enveri në ’45-ën? A nuk i shpronësoi pasanikët, nga ku u mori tokë, pasuri, para e katandi dhe i shpërndau te populli fukara?
– Po, ashtu është, – ia ktheva, teksa po bëhesha me të vërtetë kureshtar.
– Ja pra, këta që kishin grumbulluar shuma të mëdha në ’97-ën, dhe ata që shitën shtëpi e prona, madje thuhet se njëri kishte hedhur edhe dy pleqtë me përqindje te firma “Populli” për 20 milionë lekë të vjetra, pra këta ishin kapitalistët e rinj që kërkonin të uzurponin Shqipërinë. Saliu ua kuptoi këtë dobësi dhe menjëherë ua bëri paratë rrush e kumbulla. I la kastile firmat të falimentonin, me qëllim që t’i thoshte popullit: “Ja pra, ky është kapitalizmi, që është po aq i egër e i pashpirt sa të merr edhe jetën.”
Dhe për këtë qëllim donte të na vërtetonte në praktikë se kapitalizmi ta merr jetën dhe, për këtë arsye, e hodhi popullin në luftë me njëri-tjetrin, domethënë tentoi që veriun ta hidhte kundër jugut. U derdh gjithë ai gjak dhe me këtë gjak Saliu vërtetoi katërcipërisht thënien e Marksit se nga çdo qelizë e kapitalit rrjedh gjak.
E shikoni pra çfarë gjeniu ka qenë dhe është Saliu? A nuk i kishim mësuar këto gjëra vetëm nëpër libra? Lëri librat se janë teori… praktika, vëlla, praktika është kriter i së vërtetës. E patë sa djem nënash u vranë?! Po ç’do të thotë kjo? A nuk do të thotë se kapitalizmi është i pashpirt? Po ngjarjet në bulevard, ku u vranë katër demonstrues, a nuk tregojnë të njëjtën gjë? Po Gërdeci, a nuk vërteton në praktikë teorinë se kapitali i ka rrënjët në gjakun e popullit?
Madje, jo vetëm kaq, por edhe brenda klasës sunduese ekziston ligji i xhunglës, ku ujku më i fortë e shqyen më të dobëtin. Kush ia mori Metës floririn që vidhte? A nuk ishin vetë Saliu me Ramën? Po pse vidhet floriri? Ka gati një shekull që e ka vjedhur Zogu dhe s’po ia heq dot njeri… i dyti doli Meta, por edhe këtij asgjë nuk i kanë gjetur, sepse di ta fshehë pasurinë.
Pra, që të rrijmë shtrembër e të flasim drejt, Saliu është klasik e gjeni, sepse i vërtetoi nga teoria në praktikë të gjitha plagët e sistemit kapitalist.
Heshtjen e theva përsëri unë:
– Po mirë, pse vetëm Saliu na e paska bërë këtë gjë? Po të tjerët ç’kanë bërë, apo vetëm e kanë vrojtuar?
– Këtu nuk gabon, – ma ktheu Safiu, – sepse edhe PS-ja mund ta bënte fare kollaj, por i vinte turp, sepse e mban veten të majtë. Shiko, miku im, si të quajnë ty, se ma harrova emrin?
– Kusur Madhi, – ia ktheva.
– Pra, që thua ti, “Kusur Madh”, të dyja palët nuk kanë ndryshime të mëdha nga njëra-tjetra, sepse të parët të vrasin me dorën e djathtë e të vjedhin me të majtën, ndërsa të dytët të vjedhin me të djathtën, por të përkëdhelin kokën me të majtën. E çfarë ndryshimi paskan, kur të përbashkët kanë vjedhjen që na bëjnë?
Të parët të hedhin në erë e ta pinë gjakun sikur ta kenë verë, ndërsa të dytët, pra PS-ja, të vjedhin e ta marrin gjakun me shiringa, ngadalë, që të mos kuptohen, dhe këtë e bëjnë nën efekt narkoze, që ti e unë të mos kuptojmë asgjë fare.
Doni ta dini se ç’është politika? Prit, se kam vargjet e një miku tim e t’jua recitoj.
Dhe, teksa nxori një letër të zhubrosur, filloi:
Vetës i kam vënë detyrë
S’do merrem me politikë
Dihet ajo është e përdalë
E me të nuk bëhem mik.
Më ka dalë nga zemra fare
Kur më rrahën ca “të djathtë”
Çuditërisht më akuzuan
Pse shkruaj me dorë të majtë.
Herën tjetër ishte më keq
Kur u zhdëpa nga të mitë
U thashë shteti kërkon burra
Nuk bëhet nga çiliminjtë.
U çuam nga tryeza, teksa në ekranin e madh të TV-së, të instaluar në një faqe të murit, pashë Ramën, i cili mbështeste agresionin e SHBA-së dhe Izraelit kundër popujve arabë…
Ktheva në fund gllënjkën e fundit të kafesë, që më ishte ftohur, dhe në heshtje po mendoja:
A thua të ishte vërtet kështu, siç na e tha Safi Qelibari…?!
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
