Kryetari i Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev po e zvarrit tash e një vit publikimin e përgjimeve në lidhje me rastin ‘Monstra’, të cilat i ishin dorëzuar edhe Prokurorisë Speciale. Familjarët e të dënuarve me burgim të përjetshëm, por edhe familjarët e pesë viktimave që u vranë në 12 prillin e 2012 pranë Liqenit të Smilkovcit në afërsi të Shkupit kanë theksuar se ndjehen të tradhtuar nga Zaev. Familjarët e 5 shqiptarëve të dënuar me burgim të përjetshëm thonë se Zaevi këtë rast e përdori për qëllimet e tij politike dhe se më në fund u pa fytyra e vërtetë. Kryetari i Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë kishte deklaruar se disponon materialet që japin hollësi se rasti është i montuar nga pushtetarë aktual dhe se personat që po vuajnë burgun janë të pafajshëm. Ndonëse nuk dihet përmbajtja e saktë e këtyre audio-incizimeve, disa media thonë se bëhet fjalë për biseda mes njerëzve në pushtet.
