Zeqir Bekolli: Mungesa e vetëdijes shtetërore dhe e guximit qytetar po e mbajnë në udhëkryq Kosovën!

Kosova, në vitet e pasluftës, është përpjekur të ndërtojë themelet e një shteti demokratik, të bazuar në drejtësi, barazi dhe përgjegjësi qytetare. Por sot, më shumë se kurrë, duket se po përballemi me një krizë të brendshme, jo vetëm politike, por edhe morale e shoqërore.
Që nga 9 shkurti i këtij viti, vendi nuk ka arritur të formojë institucionet shtetërore për shkak të përplasjeve partiake dhe interesave të ngushta të grupeve politike. Kjo krizë nuk është më thjesht një çështje e elitave, por një simptomë e mungesës së vetëdijes shtetërore që ka prekur tërë shoqërinë.
Çmimet rriten, rryma, buka e nevojat bazë bëhen barrë e rëndë për qytetarët, ndërsa shoqëria civile hesht. Qeveritë ndryshojnë, por apatia qytetare mbetet e njëjtë. U vidhet e ardhmja fëmijëve, por qytetarët pranojnë në heshtje, madje shpesh, i votojnë pikërisht ata që ua kanë rrënuar shpresën.
Kjo është tragjedia e vetëdijes së fjetur: kur viktima e padrejtësisë fillon ta pranojë padrejtësinë si normalitet!
Arsimi degradohet, edukata humbet vlerat e saj themelore, shëndetësia mbetet e pambrojtur dhe prapë heshtje! Pensionistëve, punëtorëve u shkelen të drejtat, rinisë i mbyllen horizontet, mërgimi bëhet shpëtim i vetëm dhe përsëri, heshtje!Kjo heshtje kolektive është pasqyra më e hidhur e mungesës së guximit qytetar.
Pa vetëdije shtetërore nuk ka përgjegjësi publike. Pa guxim qytetar nuk ka ndryshim. Dhe një shoqëri që hesht përballë padrejtësisë, rrezikon të humbasë jo vetëm dinjitetin, por edhe vetë ekzistencën morale të shtetit.
Është koha që qytetari të mos jetë spektator i fatit të vet, por aktor i ndryshimit. Sepse Kosova nuk do të shpëtohet nga partitë, por nga vetë qytetarët e vet në çastin kur ata të kuptojnë se heshtja nuk është më virtyt, por faj.
Më e rënda është se qytetarët votojnë pikërisht ata që ua shkatërruan shpresën. Votojnë ata që rininë e kanë detyruar të ikë, që shtetin e kanë kthyer në plaçkë, që ligjin e kanë bërë maskë për interes.
Kjo është prova më e dhimbshme se në Kosovë mungon vetëdija shtetërore , ajo ndjesi që të bën të kuptosh se shteti nuk është pronë e partive, por e qytetarit.
Një shoqëri që nuk reagon kur i shkelet dinjiteti, nuk ka si të ndërtojë demokraci. Një qytetar që nuk ngre zërin, s’ka si të kërkojë drejtësi. Sepse heshtja, në këtë rast, nuk është durim, është dorëzim.
Kosova nuk ka mungesë potenciali, as mungesë njerëzish të ndershëm. Ka mungesë vetëdijeje dhe guximi. E pa këto dy shtylla, shteti mbetet thjesht një ndërtesë bosh, e rrethuar nga flamuj, por pa shpirt.
Është koha që qytetarët të dalin nga apatia. Të kuptojnë se heshtja është bashkëfajësi. Sepse, në fund të fundit, nuk janë politikanët që e mbajnë gjallë këtë stet, por janë qytetarët themeli i tij.

Kontrolloni gjithashtu

Ylli Mece

Ylli Mece: KURVAT POLITIKE TË SHQIPËRISË….. DHE KOSOVA E MARTIRIZUATR

Në historinë e popujve të Evropës vështirë se mund të gjendet një popull që të …